Pesë shqiptarë vazhdojnë aventurën UEFA

UEFA bëri ndarjen pesë vazove sipas koeficienteve të ekipeve që marin pjesë në fazën e grupeve të Kupës UEFA (shorti hidhet të martën), ku të paktën do të luajnë 5 futbollistë shqiptarë me ekipet e tyre.
Kështu, ekipi grek Panathiniakos, për të cilin luan Sotir Nini, ndodhet në vazon 1. Në vazon 2 ndodhet AEK i Athinës, me të cilin aktivizohen Panajot Kone dhe Përparim Hetemaj. Po në këtë grup për austriakët e Austrisë së Vienës luan Emin Sulimani,shqiptari nga Maqedonia.
Në vazon 4 ndodhet skuadra greke Panionos me të cilin militon Albi Kondi dhe në vazon 5 është Aris i Selanikut, ku aktivizohet mbrojtësi i Kombëtares sonë, Kristi Vangjeli. 40 ekipet pjesëmarrëse do të ndahen në tetë grupe me nga pesë ekipe. Vilareal ka edhe koeficientin më të lartë.
Gjatë hedhjes së shortit klubet nga i njëjti vend nuk mund të jenë së bashku në grup.
Në eliminatoret e Kupës UEFA nga ekipet shqiptare morrën pjesë Besa (u kualifikua një tur me serbët e Bezaninjës dhe u elminua më pas nga bullgarët e Liteks Lovec) dhe Teuta, që u eliminua qysh në raundin e parë nga kroatët e Slaven Belupo.
Gjatë tureve të mëparshme në Kupën UEFA luajtën edhe Hamdi Salihi (për austriakët e SV Ried, ku dhe shënoi dy gola) si dhe Arjan Beqaj, me qipriotët e Anorthosis Famagusta.