Sllovenët të kënaqur me mungesën e Canës

Siti sportiv slloven www.nogomania.com i kushtoi një koment të vecantë përfaqësueses së Shqipërisë, duke theksuar faktin se trajneri Oto Baric do të vuajë mungesën e një prej lojtarëve të tij më të mirë, mesfushorit Lorik Cana, kapitenin e francezëve të Marsejës.
Jashtë vëmendjes së gazetarit (Jure Bohoric) nuk ka mbetur edhe mungesa e lojtarëve të tjerë titullarë si Emdond Kapllani dhe Besart Berisha, por edhe rithirrja në formacion e Ervin Skelës dhe kapitenit të Shpresave të Shqipërisë, Andi Lila. Nga ana e tij, trajneri i Sllovenisë, Matjazh Kek, është shprehur se synon lojë të mirë në ndeshjen ndaj Shqiperisë në Celje, më 13 tetor.
Sllovenia pas Shqipërisë do të luajë kundër Holandës, më 17 tetor në Eindhoven. Trajneri i Sllovenisë, Matjazh Kek nisi qysh të dielën përgatitjet me skuadrën e tij në qendrën stërvitore në Brdu. "Te lojtarët ka shumë optimizëm dhe ne besojmë te forca e kolektivit tonë", - citohet Kek nga faqja sllovene nogomania.com. Problemi i parë për kundërshtarët tanë është kondicioni jo i mirë fizik i mesfushorit të Real Sociedad, Dalibor Stevanovic.
Në listën e lojtarëve sllovenë të njohur për lojtarët tanë është mesfushori Anton Zhlogar, shok skuadre me portierin Arjan Beqaj, te Anorthosis Famagusta.
Sllovenia anti-Shqipëri
Portierë: Sasho Fornezi (Austria V.), Samir Handanovic (Udineze).
Mbrojtës: Misho Brecko (Hamburg), Boshtjan Cesar (Uest Brom), Fabijan Cipot (Lucerne), Branko Ilic (Betis), Bojan Jokic (Sosho), Alesh Kokot (Vehen), Igor Lazic (Interblok), Mitja Merec (Makabi Herclija).
Mesfushorë: Andrazh Kirm (Domzhale), Andrej Komac (Djurgardens), Robert Koren (Uest Brom), Rene Mihelic (Maribor), Dalibor Stevanovic (Real Sociedad), Luka Zhinko (Domzhale), Anton Zhlogar (Anorthosis Famagusta).
Sulmues: Klemen Lavric (Duizburg), Zlatan Ljubijankic (Domzhale), Milivoje Novakovic (Keln), Dejan Rusic (Politehnika Timishoara), Valter Birsa (Sosho).