Morati premton surpriza, ndoshta Kasano
09/06/2005 “Mund të ketë ndonjë surprizë të madhe”. Kështu e ka nisur ditën e djeshme Masimo Morati, duke ngjallur shpresat e tifozëve të Interit për ndonjë blerje tjetër të bujshme. Menjëherë ka filluar ‘fjalëkryqi’ që të çon tek emri i ardhshëm i madh (Samuel, Çivu, Kasano?), por ka menduar përsëri Morati të qartësojë disa gjëra dhe të ulë pak entuziazmin: “Samuel është një tratativë tepër e komplikuar, ndërsa Çivu nuk do të lëvizë nga Roma, ndaj harrojini këta emra. Mund të konfirmoj vetëm interesimin për Solarin”. Megjithatë, vështirë se zikaltrit do të dorëzohen kaq shpejt, sepse me Romën do të zhvillohen takime të tjera dhe tema do të jetë po ajo: Çivun ose Kasanon, me këtë të fundit që ka shumë mundësi të vishet zikaltër. Lajme të mira kanë ardhur edhe nga Veron, sepse pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të Çelsit, Piter Kenion, është arritur marrëveshja midis dy klubeve për qëndrimin në Milano të mesfushorit argjentinas. “Besoj se Veron do të qëndrojë, megjithëse do të takohemi përsëri javën e ardhshme”, ka shtuar pronari i Interit. Por problemi në lidhje me Veronin nuk është Çelsi, por dëshira e vetë lojtarit për t’u kthyer në Argjentinë, ndaj akoma nuk mund të thuhet asgjë me saktësi. Çelsi e ka kërkuar Adrianon? “Nuk kemi biseduar dhe Aadriano nuk do të lëvizë nga Interi”, ka përfunduar Morati.