E Hënë, 2 Nëntor 2026

ADRIANO: INTER, MERR ROBINJON!

09/06/2005  Sulmuesi brazilian e konsideron një fenomen patriotin e tij dhe konfirmon dëshirën për të qëndruar në Milano

Adriano dëshiron të qëndrojë tek Interi dhe këtë gjë e përsërit sa herë i jepet rasti. Ka ndodhur edhe ditën e djeshme, gjatë një interviste për mediat braziliane, në prag të ndeshjes së Brazilit me Argjentinën. “Para ndeshjes me Paraguajin, thashë disa fjalë që janë keqkuptuar ose janë shtrembëruar qëllimisht. Unë nuk kam thënë kurrë që nëse nuk fitoj vitin e ardhshëm, do të largohem nga Interi. Diskutimi ishte krejt ndryshe, më i gjerë dhe më vjen keq që këto fjalë kanë mbërritur në Itali. Më vjen keq sidomos për Masimo Moratin, i cili më do shumë dhe duhet të jetë mërzitur jashtë mase”, deklaron Adriano, i cili qartëson për të disatën herë dëshirën e tij: “Unë dua të qëndroj shumë gjatë te Interi. Jam i lumtur në Milano, ka shumë njerëz që më duan të mirën dhe nuk e mendoj dot veten me një skuadër tjetër. E di që jam i rëndësishëm për Interin dhe shresoj të fitoj diçka të rëndësishme me këtë skuadër. Për sa më përket, paratë nuk janë gjithçka, përkundrazi, më interesojnë shumë pak. Një lojtar nuk quhet i kompletuar nëse nuk fiton ndonjë trofe, ndaj këtë vit dua të fitoj, me Interin dhe Brazilin. Nëse gjërat nuk do të na ecin mirë sivjet, do të bëjmë durim, por nëse kalojnë disa vite pa fituar, edhe unë do të shoh gjetkë. Por ky nuk është një ultimatum, por një stimul për të bërë më shumë”. Drejtuesit zikaltër e kanë kuptur plotësisht ‘Perandorin’, i cili falënderon dhe zbulon sakrificën që ka bërë për Interin: “Faketi e di shumë mirë se sa e dua këtë bluzë dhe e falënderoj për besimin që ka tek unë. Unë e dua Interin dhe kam bërë për të atë që pak lojtarë të tjerë do ta bënin: më kanë kontaktuar Reali e Çelsi, sepse donin të dinin nëse isha i interesuar për një transferim, por u thashë që nuk më intereson dhe ndërpreva çdo kontakt. Nëse kjo nuk është një provë që dëshiroj të qëndroj tek Interi...”. Më pas, Adriano ka dhënë një këshillë edhe për merkaton zikaltër: blerjen e Robinjos, supertalent i Santosit, i cili së shpejti do të transferohet ë Evropë. “Ndihem shumë mirë kur luaj me të, jemi një çift ideal: unë i fuqishëm dhe ai shumë i shpejtë. Kam folur me të për të ardhmen dhe nuk më ka thënë asgjë. Di që dëshiron të largohet nga Santosi dhe të vijë në Evropë. Nëse Interi është i interesuar, i këshilloj të vrapojë për ta blerë. Robinjo është një fenomen i vërtetë dhe është shumë i ri, kështu që është një investim i mrekullueshëm për të tashmen dhe të ardhmen”, ka përfunduar Adriano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›