E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pesë vjetë, 1200 shkurorëzime

28/02/2005  Gjëndja sociale shkak i divorceve në Shkodër

SHKODËR - Numër i madh divorcesh në qytetin e Shkodrës. Shkaku kryesor, që çon bashkëshortët në dyert e Gjykatës janë problemet e mëdha sociale, të cilat në këtë qytet duket se janë jo pak të mprehta. Sipas të dhënave që dalin nga gjykata e rrethit Shkodër, që nga viti 2000, në këtë qytet numërohen rreth 1200 divorce. Numri i madh i këtyre divorceve flet vetë për problemet sociale me të cilat ndeshet ky qytet. Duke u bazuar tek statistikat, shihet qartë ndryshimi me një vit më parë, ku gratë mbanin vendin e parë në kërkesat e tyre për t u divorcuar. Ndryshe ndodh këtë vit, ku është shtuar ndjeshëm numri i burrave që kanë kërkuar ndarjen nga gratë e tyre. Në këtë mënyrë numri i kërkesave për divorc është në të njëjtin nivel, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Shifrat e vitit 2003 flasin për 230 divorce, ndërsa për vitin 2004 u rregjistruan 218 raste ndarje të çifteve. Duke krahasuar këto shifra me fillimin e vitit 2000 vihet re një ulje e numrit të divorceve. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e punës që është bërë nga Gjykata e Shkodrës në dy vitet e fundit, në drejtim të seancave bindëse apo pajtuese, duke i dhënë përparësi pajtimit ose bashkimit të çifteve, duke arritur që një pjesë e mirë e padive të tërhiqen nga vetë paditësit. Megjithëse numri i ndarjeve përsëri mbetet i konsiderueshëm, fillimi i vitit 2005 ka qënë më pozitiv në drejtim të pajtimit të çifteve, kjo falë edhe caktimit të një psikologu pranë Gjykatës së Shkodrës, i cili po bën një punë mjaft të mirë në fazën fillestare parapërgatitore për të ndikuar pozitivisht në bashkimin e çifteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›