E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshëngritësit ‘rebelohen’ ndaj ministrit Bumçi

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-11-2011 15:07

Në MTKRS është zhvilluar një takim për të vlerësuar punën e shtangistëve që kanë siguruar katër bileta për në Londër 2012, ndërsa këta të fundit i janë ‘zbrazur; ministrit për kërkesat e paplotësuara

Duhej të ishte një takim ku të vlerësohej puna e mirë e skuadrës kombëtare të peshëngritjes, e cila me rezultatet e arritura në Botërorin e Parisit mundi të sigurojë katër bileta për në Lojërat Olimpike Londër 2012, një rekord më vete ky. Por, natyrisht që ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi kishte menduar një tjetër mbarëvajtje të takimit. Shtangistët, të lodhur nga ajo që e quajnë “indiferenca e shtetit”, nuk kanë humbur rastin, por ia kanë “përplasur” në fytyrë ministrit të gjitha pakënaqësitë e tyre. “Dua tju them që për shkak të këtij angazhimi ka një fond shtesë për këtë kampionat prej 4.5 milionë lekësh dhe mbështetja do të vazhdojë të vijojë”, deklaroi

ministri Bumçi. Teksa mbylli fjalën e tij përshëndetëse dhe ku zbuloi akordimin fondit shtesë në me vlerën e 45 milionë lekësh të vjetra për shtangën, Bumçi ua dha fjalën peshëngritësve. E para e ka qenë e vetmja sportiste që fitoi një medalje, Romela Begaj, e cila deklaroi se pret që të merren të gjitha shpërblimet e triumfeve të shkuara dhe për këtë gjë i ka sytë nga Këshilli i Ministrave. “Zoti ministër shpresoj që jo vetëm kjo medalje teke, jo kjo që është sot më e rëndësishmja në Shqipëri, por të gjitha medaljet teke që janë marrë në kampionate, shpresoj që të shpërblehen në bazë të VKM-së sepse jo vetëm unë, port ë gjithë sportistët që janë sonte këtu kanë probleme me këtë punë”, theksoi Begaj, e cila u mbështet menjëherë edhe nga Erkand Qerimaj, që vuri në dukje kushtet e këqija me të cilën peshëngritësit po përballen çdo ditë. “Shpresoj që qeveria shqiptare të ndryshojë diçka me të gjitha trajtimet tona, duke filluar me rrogat me shpërblimet etj sepse kemi dëgjuar shumë herë fjalë të bukura dhe jemi mësuar me to, ka ardhur momenti që të ndryshojnë gjërat. Nuk mund të mbahemi më kështu sesi kemi ecur deri tani. Do të përballemi me botën. Do të shkojmë në Olimpiadë dhe është diçka historike,” vuri në dukje Qerimaj. Pas dy peshëngritësve në fjalë, u rifut në skenë ministri Bumçi, që deklaroi se do të ketë një grant shtesë për Federatën e Peshëngritjes, e cila t’ua plotësojë më me lehtësi kërkesat shtangistëve. “Do e shikojmë këtë gjë. Është e vërtetë që ne duhet të japim maksimumin. E kemi bërë dhe siç ju kam premtuar fondi grant i FSHP-së do të ketë një ngritje”, premtoi ministri i MTKRS-së. Më pas, i ka ardhur radha trajnerit Zef Kovaçi që të kërkojë atë palestrën e famshme që u është premtuar shtangistëve. “Meqë ra rasti, po ju them se ne do të fillojmë stërvitjet nesër (sot) dhe nuk kemi një palestër. Kemi vite që themi palestra-palestra, por viti 2012 po vjen dhe është vërtet afër”. Por reagimi i ministrit Bumçi ka qenë i shpejtë dhe i prerë duke dashur t’i japë fund në një farë mënyre “rebelimit” të peshëngritësve. “Nuk zgjidhen gjërat brenda natës, por ka hapa konkretë, premtime konkrete që janë mbajtur,” e mbylli takimin Aldo Bumçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›