Verder Bremen synon juventinin Amauri
Verder Bremen ka shprehur interesin për të nënshkruar me sulmuesin e Juventusit, Amauri. Braziliani me nënshtetësi italiane nuk është përfshirë në ekipin e parë të Juventusit pasi kishte refuzuar ofertat nga Fenerbahçes dhe Olimpik Marsejës gjatë verës. Amauri synoi ta dëshmojë veten në Serie A, por me mënyrën se si shkojnë gjërat ai pritet të largohet në afatin kalimtar të janarit. 31-vjeçari raportohet se ka zgjuar interesimin e Verder Bremen që synon të jetë një rival serioz për titullin e Bundesligës, ku për momentin pozicionohet i treti në tabelë. Megjithatë, mendohet se Amauri do të mendojë vetëm një transferim në formë huazimi pasi dëshiron të jetë lojtar i lirë kur kontrata e tij me Juventusin të skadojë në fund të sezonit, kur do të mund t’i shikojë më i qetë planet e tij.