Rritet çmimi, fëmijët e gratë rikthehen mbi stoqet e kromit
BULQIZE - Fëmijë e gra janë rikthyer ditët e fundit në stoqet e kromit në qytetin e Bulqizës. Ngritja e ndjeshme e çmimit të mineralit, ngrohja e motit dhe varfëria kanë bërë që banorët e këtij qyteti të vënë jetën në rrezik për të siguruar mbijetesën. Që nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje vonë, dhjetëra qytetarë, kryesisht fëmijë të vegjël dhe gra ngjiten mbi qytet dhe u "sulen" stoqeve të kromit, për të mbledhur copa minerali dhe për t'i shitur ato kryesisht në tregun e zi, që ka rinisur të lulëzojë në qytetin e minatorëve. Fëmijë të grupmoshave të ndryshme kanë preferuar të lënë mësimin dhe të bashkohen me prindërit e tyre në këtë aventurë. Veç shfrytëzimit barbar, fëmijët janë të rrezikuar edhe nga shembja e mundshme e stoqeve, të cilët herë pas here kanë shkaktuar viktima të pafajshme. Bashkia e qytetit i ka kërkuar Qeverisë dhe Presidentit të ndërhyjnë për privatizimin e këtyre stoqeve, duke i kaluar ato në vartësi të pushtetit lokal. Burime zyrtare pranë bashkisë kanë sqaruar se kjo njësi vendore ka përgatitur gjithë dokumentacionin ligjor për kalimin e stoqeve në vartësi të saj, sepse kështu sigurohen të ardhura dhe parandalohen ngjarjet aksidentale. "Prej dy vitesh kemi kërkuar zgjidhjen e këtij problemi shqetësues dhe çuditërisht nuk ka një përgjigje në lidhje me kërkesën e Këshillit Bashkiak për kalimin e stoqeve në vartësi të bashkisë sonë", thanë zyrtarë të Bashkisë Bulqizë, të cilët shtojnë se duhet ndërhyrje urgjente për të ndalur ngjarjet që rrezikojnë jetë njerëzish. h.p