E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët amatorë, tritol në det

VLORE - Gjuetia e paligjshme në det nga peshkatarë amatorë është kthyer në një problematikë, e cila nuk po gjen zgjidhje në zonën e Vlorës. 

Peshkatarët e licencuar shprehen të pakënaqur pasi, sipas tyre, ata po konkurrohen në mënyrë të pandershme. Njëherazi ata pohojnë se persona të papërgjegjshëm po shkatërrojnë florën dhe faunën në zonat që veprojnë. Peshkatarët amatorë dalin që në orët e para të mëngjesit për të gjuajtur, duke dashur në këtë mënyrë t’i shmangen kontrolleve të herëpashershme të policisë. Ata hedhin lëndë plasëse në det dhe më pas peshkun që kapin e shesin nëpër pika të ndryshme. Gjuetia e paligjshme kryhet kryesisht në zonat e Zvërnecit, Triportit, Karaburun, Dhërmi, e më tej deri në “Porta Novës”. Vetë peshkatarët pohojnë se lëndën plasëse për të gjuajtur peshk e gjejnë në predhat e vjetra që ndodhen në fund të ujit afër bregut të detit. Pak muaj më parë, duke marrë tritolin nga predha, një peshkatar vdiq dhe një tjetër u plagos rëndë.                                                                         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›