Shpërthen punishtja te metalurgjiku
ELBASAN/ ALDI KOZARIA
Një shpërthim i fortë në ambientet e ish-kombinatit metalurgjik ka tronditur dje qytetin e Elbasanit. Si pasojë e kësaj ngjarje, një person ka vdekur, ndërsa një tjetër ndodhet në rrezik për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në një punishte private të depozitimit dhe përpunimit të karburanteve, pranë uzinës nr. 12. Policia njoftoi se nga zjarri i rënë në këtë punishte humbi jetën pronari i saj, Skënder Biba, 37 vjeç, ndërsa punëtori tjetër 48-vjeçar, Rifat Sula, është rëndë në repartin e djegieve në spitalin e Tiranës. Në vendin e ngjarjes mbërritën policia e Elbasanit dhe zjarrfikëset, të cilët lokalizuan flakët, duke evituar edhe ndonjë shpërthim tjetër të mundshëm. Fillimisht dy punëtorët e djegur janë transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Por për shkak të gjendjes së tyre shumë të rëndë, viktimat janë transportuar me urgjencë me autoambulancë për në spitalin e Tiranës. Pronari i punishtes nuk ka mundur të përballojë plagët e shumta që kishte marrë, ndaj ndërroi jetë pak pas mbërritjes në repartin e djegieve. Mjekja e spitalit të Elbasanit, Eli Dino, tha se dy të dëmtuarit nga shpërthimi mbërritën në spital në gjendje kritike dhe djegia e tyre ishte në masën nga 50-90 për qind. Ndërkohë, shpërthimi i djeshëm mund të kishte shkaktuar tragjedi, pasi në afërsi të punishtes që ndodhet në territorin e ish-metalurgjikut ndodhen disa punishte që përmbajnë lëndë të rrezikshme si gaz, oksigjen etj. Por ndërhyrja e zjarrfikësve ka evituar shpërthime të tjera. Grupi hetimor bëri të ditur se shkak i shpërthimit në punishten e përpunimit të karburantit pranë uzinës nr. 12 në ish-kombinatin metalurgjik, është pakujdesia dhe puna artizanale e dy punonjësve të saj. Burime të policisë bënë të ditur se shkak i shpërthimit të punishtes me pronar Skënder Bibën, është fakti se ai bashkë me punonjësin Rifat Sula po punonin për prodhimin e nënprodukteve të mazutit (naftës) në mënyrë artizanale, me anë të ngrohjes me zjarr, jashtë çdo rregulli teknik. Dyshohet se shkëndijat e zjarrit kanë bërë kontakt me depozitat e mazutit, duke shkaktuar edhe këtë tragjedi. Grupi hetimor sekuestroi në vendin e ngjarjes rreth 50 mijë litra solar, si dhe 5 mijë litra nënprodukt të solarit (naftë). Nga hetimet paraprake të policisë rezultoi se aktiviteti i viktimës nuk ishte i regjistruar. Ai punonte pa licencë, dhe për këtë shkak dyshohet se punonte vetë bashkë me një punëtor tjetër. Viktima ishte i pamartuar, ndërsa mësohet se aktiviteti i tij kishte disa kohë që kishte filluar.
“Prej 5 muajsh im shoq punonte pa u paguar”
TIRANE- Rifat Sula, 48-vjeçar, një prej të djegurve të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Elbasanit, mesditën e djeshme ndodhej në gjendje të rëndë në sallën e reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mjekët pohojnë se ai është djegur në 50 për qind të trupit dhe është klasifikuar si djegie e shkallës së dytë prej tyre. Sipas tyre, Sula ka mbërritur në spital rreth orës 08:00 të mëngjesit, i shoqëruar nga një ambulancë e spitalit të Elbasanit. Bashkëshortja që i qëndron pranë, pohon se i shoqi ka qenë duke bërë roje pranë objektit të firmës ku punonte prej një viti dhe paguhej vetëm me 20 mijë lekë të reja në muaj. “Ka pesë muaj pa u paguar dhe merrte një pagë me të cilën unë nuk mund të ushqej dot fëmijët e mi”, pohon gruaja, e cila shton se me pagën që duhej të merrte i shoqi prisnin të ushqeheshin 7 fëmijë. Gruaja e tij, Razija, tregon se ajo ka qenë në shtëpi kur e kanë marrë në telefon dhe i kanë thënë se ka ndodhur një shpërthim pranë vendit ku punonte. Më pas ajo pohon se kishte marrë vesh se i shoqi kishte qenë në vendin e tij të punës kur flaka dhe zjarri e kishin përfshirë në shpinë dhe ai po digjej. “Nuk kishte pasur mundësi të hiqte rrobat, të cilat i janë djegur”, pohon gruaja, që duhet të niset sërish në Elbasan pranë fëmijëve e të kthehet sërish tek i shoqi. d.biçaku