E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau në Athinë, kapet në Tiranë

Arrestohet në Tiranë emigranti i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia greke, për një vrasje të kryer në Athinë. 

 Ervin Çukaj, 23 vjeç banues në rrugën "Gjergj Legisi", në Tiranë pranë Spitalit Ushtarak, është ndaluar dje nga njësia e operacioneve speciale dhe vëzhgimit të policisë së Tiranës. Çukaj, është arrestuar nga policia e Tiranës gjatë operacionit të koduar "Refugjati" pasi për të, Prokuroria e Përgjithshme kishte nxjerrë një urdhër ekzekutimi, pas materialeve të mbërritura në ngarkim të tij nga autoritetet policore dhe të drejtësisë greke. Sipas njoftimit zyrtar, Çukaj ishte shpallur në kërkim nga autoritetet greke të drejtësisë, pasi mendohet se në vitin 2004 të jetë autor i vrasjes së një qytetari grek. Krimi kishte mbetur për dy vjet me radhë pa autor, derisa hetimet e autoriteteve policore greke kanë nxjerrë si autor të riun shqiptar. Kështu në vitin 2004 ndaj tij është lëshuar urdhër-arresti në mungesë, por kishte qenë e pamundur të ekzekutohej, pasi ai ishte kthyer në Shqipëri dhe mendohet se ka qëndruar në banesën e vet në Laprakë. Pas përfundimit të hetimeve çështja u dërgua në Gjykatën e Athinës, ku pas shqyrtimit të saj u vendos dënimi i 23-vjeçarit shqiptar me burgim të përjetshëm. Vendimi në ngarkim të tij është dhënë disa muaj më parë dhe për shkak të mosankimimit ka marrë formë të prerë. Në këtë kohë autoritet greke të drejtësisë nëpërmjet letërporosisë kanë përcjellë në Tiranë dënimin e 23-vjeçarit. Materiali i ardhur nga Greqia është përkthyer nga Ministria e Drejtësisë, e cila ia ka kaluar më pas institucionit kompetent, Prokurorisë së Përgjithshme. Pas studimit të materialeve të mbërritura nga shteti helen, është lëshuar urdhri i ndalimit për 23-vjeçarin nga Lapraka. Policia e kryeqytetit pas kësaj ka nisur verifikimin e vendndodhjes së të riut dhe ditën e djeshme është bërë e mundur prangosja. Pritet që ai t'iu dorëzohet autoriteteve të burgjeve për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Athinës, për të cilin ai mund të kërkojë konvertim sipas ligjeve në fuqi. Policia pohon se i riu, ka vrarë një qytetar grek, bashkëmoshatar të vetin, në vitin 2004 në Athinë. Burimet pohojnë se shkak për krimin e rëndë ishte një grindje banale midis dy të rinjve, pasi shqiptari nuk kishte arritur të gjente punë. Pas kryerjes së krimit i riu Çukaj, kishte mundur të largohej duke i shpëtuar prangave, ndërsa për dy vjet me radhë ngjarja mbeti pa autor.     d.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›