Peshkimi, furnizim me naftë pa akcizë
Qeveria merr vendimin për të furnizuar sektorin e peshkimit me naftë pa paguar akcizën 37 lekë/litri. Ky veprim parashikon të sjellë efekte negative në buxhet për rreth 5 milionë dollarë, por Ministria e Financave siguron se kjo humbje do të kompensohet nga efektet pozitive të TVSH-së, tatim-fitimi dhe kontributit të sigurimeve shoqërore, si rezultat i zgjerimit dhe zhvillimit të aktiviteteve përfituese të peshkimit. Sipas këtij vendimi, peshkatarët do të marrin naftë me çmim 37 lekë më lirë, diferencë kjo e krijuar nga akciza. Aktualisht nafta vendase e ARMO-s në treg të lirë kushton rreth 131 lekë/litri, ndërsa nafta e importit rreth 143 lekë/litri. Sektori i peshkimit për të përfituar naftë pa akcizë duhet të pasqyrojë drejt prodhimin, në bazë të të cilit do të kryhet rimbursimi. Rrjedhimisht, kjo skemë e përfshin peshkimin në përdorimin e faturave me TVSH, duke synuar formalizimin e këtij sektori. Vendimi i djeshëm vjen në një kohë kur grupet e interesit kishin protestuar disa herë për të drejtat e tyre, pasi qeveria kishte hequr furnizimin e naftës pa akcizë. Por ndryshe nga herët e tjera, kur shteti ua jepte naftën vetëm me 40 lekë/litri, duke i subvencionuar akcizën dhe diferencën e çmimit në treg, me vendimin e fundit, peshkimit i përjashtohet vetëm akciza. Një arsye tjetër që solli heqjen e taksës së akcizës ishte dhe konkurrenca e dobët me vendet e rajonit, si Italia dhe Greqia, ose Kroacia dhe Mali i Zi, për arsyen e thjeshtë se nafta për peshkim në vendet e BE-së shitet nga magazinat doganore pa asnjë lloj detyrimi fiskal mbi të. E njëjta politikë zbatohet edhe në ato vende të cilat kanë synim të anëtarësohen në BE, si Kroacia dhe Mali i Zi.