Biznesi, qendër e re për taksat në Tiranë
Bashkia e Tiranës hap Qendrën e Zhvillimit të Biznesit, ku janë përfshirë 14 sportele të ndryshme në një zyrë. Shërbimet që do të ofrohen për taksapaguesit, biznesin e madh dhe të vogël
Sipërmarrësit dhe qytetarët e kryeqytetit, tani të gjitha shërbimet do t’i kryejnë në një qendër të vetme, që është hapur dje nga Bashkia e Tiranës. Nëpërmjet kësaj qendre, Bashkia e kryeqytetit ka vendosur t’i kthejë kohën e humbur dëm taksapaguesve të qytetit të Tiranës, të cilët duhet të prisnin në radhë për të shlyer detyrimet e tyre. Bashkia e Tiranës ka ngritur Qendrën e Zhvillimit të Biznesit, që përfshin një sërë sportelesh që më parë kanë qenë të shpërndara në kryeqytet. Sipas kryebashkiakut, Edi Rama, qëllimi i saj është që shërbimi ndaj qytetarëve të jetë sa më i shpejtë. Qendra e hapur rishtazi ndodhet në godinën e rikonstruktuar të ish-Uzinës Mekanike. Ajo është e pajisur edhe me informacione të përmbledhura, për të sqaruar qytetarët mbi legjislacionin tatimor, ndërsa numri i sporteleve që përfshihen në këtë qendër tashmë është 14. Në ambientet e reja të Qendrës së Zhvillimit të Biznesit në kryeqytet, të vendosura në ish-Uzinën Mekanike, përfshihen Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, por edhe shumë struktura të tjera në shërbim të qytetarëve, si: Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin Urban apo Shërbimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, të cilat tashmë do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këto mjedise tërësisht cilësore dhe funksionale. Gjithashtu, në këto ambiente, përveç përmirësimit të kushteve të shërbimit ndaj të gjithë taksapaguesve të qytetit të Tiranës, (individë, biznes i vogël apo i madh) është synuar që komuniteti i biznesit të marrë pothuajse të gjitha shërbimet e nevojshme, me qëllim funksionimin normal të aktivitetit. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës bën të ditur se është duke u negociuar edhe me Qendrën Kombëtare të Licencimit, në mënyrë që edhe kjo e fundit, t’i ofrojë shërbimet e saj pranë kësaj qendre.
Sportelet
Më konkretisht në Qendrën e Zhvillimit të Biznesit janë krijuar 7 sportele (sportelet e regjistrimit dhe asistencës), të cilët kanë për qëllim shërbimin fillestar ndaj subjekteve taksapagues. Në këto sportele, subjektet që paraqiten për regjistrimin fillestar kanë mundësi të marrin informacion të detajuar, në lidhje me dokumentacionin që duhet të paraqesin, me qëllim regjistrimin e biznesit, pasurisë si dhe asistencën e nevojshme, në lidhje me detyrimet fiskale që lindin si pasojë. Njëkohësisht, mund të pajisen me të gjithë formularët e nevojshëm dhe listën me dokumentacionin shtesë shoqërues. Gjithashtu janë në dispozicion 2 sportele të tjera, ku qëndrojnë specialistë të Sektorit të Mbledhjes dhe Menaxhimit të Borxhit, për rastet kur taksapaguesit dëshirojnë dhe/ose kanë nevojë të marrin informacion të plotë, në lidhje me vlerën e detyrimit, vlerësimin tatimor, kopje të njoftimeve dhe procedurën e mbledhjes së detyrimeve tatimore, pra me punën specifike të këtyre sektorëve. Sporteli i arkës dhe protokollit janë dy shërbime të tjera që u ofrohen tatimpaguesve, me qëllim lehtësimin e kryerjes së procedurave të pagesës si dhe të atyre të ankimimit. Pranë sportelit të protokollit të ankesë-kërkesave janë hartuar formularë të gatshëm, me qëllim paraqitjen e kërkesave dhe ankimeve që taksapaguesit mund të paraqesin për DPTTV ose Komisionin e Apelimit. Gjithashtu një sportel i lirë ka për qëllim kontaktin me taksapaguesit, në rastet kur lind nevoja për sqarime apo asistencë nga sektorë të tjerë të DPTTV (sektori juridik, sektori i kontrollit tatimor dhe sektori i verifikimit ne terren, sektori i financës). Janë vendosur në funksion aktualisht 3 sportele të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në kuadrin e realizimit të të ashtuquajturit “one stop shop”, kjo me qëllim kryerjen e të gjitha procedurave pranë një vendi të vetëm, duke shmangur humbjet e kohës nga një zyrë në tjetrën. Ndërkohë së shpejti pritet krijimi i sporteleve të Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban (DKTU), ku do të ezaurohen të gjitha praktikat që kanë lidhje me licencat/lejet e transportit/taksi si dhe lejet e tjera, kompetencë e këtyre strukturave, prania e së cilave mundëson edhe një shkëmbim informacioni në kohë reale dhe zgjidhjen e problematikave që has subjekti taksapagues. Në qendrën e re është përfshirë edhe salla e pritjes, në të cilën janë vendosur në dispozicion broshura të ndryshme të përditësuara, ku janë përmbledhur qartë dhe thjesht, pjesë të legjislacionit tatimor, ku përfshihen disa nga aspektet më të rëndësishme të jetës së biznesit (afatet e pagesës, regjistrimi, sanksionet ligjore, lehtësirat tatimore, procedurat e vlerësimit, kontrollet, librat fiskale etj). Gjithashtu, në një ekran televiziv shfaqet në mënyrë të përmbledhur dhe të përsëritur, një informacion i nevojshëm për çdo taksapagues.
Detyrimet tatimore, në janar informacionet online
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore bën të ditur se po implementon një projekt, me qëllim që të gjithë tatimpaguesit e Bashkisë së Tiranës, të kenë mundësinë të shkarkojnë online detyrimet tatimore të vitit ushtrimor 2011. Sipas kësaj drejtorie, ky projekt do të bëhet i mundur në muajin janar të vitit 2011, me qëllim që të eliminojë të gjithë burokracitë që hasin tatimpaguesit për marrjen e njoftim detyrimit tatimor. Njëkohësisht, në këtë projekt do të përfshihet edhe e drejta e tatimpaguesve, për t’u paraqitur ankesë-kërkesa me postë elektronike, në një adresë të përcaktuar në faqen e internetit të DPTTV.