Prodhimi i pullave fiskale me koncension për 10 vite
Pullat fiskale tani do të prodhohen me elementë të lartë të sigurisë, për t’i mbrojtur nga falsifikimi. Ministria e Financave njoftoi dje se, dha me për dhjetë vjet me koncesion shërbimin e prodhimit dhe ngritjes së sistemit të kontrollit të pullave fiskale. Financat zhvilluan procedurën konkurruese për dhënien me koncesion “të prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale”, nga e cila u përzgjodh kompania Sicpa. “Koncesioni jepet për një periudhë 10-vjeçare. Vlera totale e investimit është 10 milionë euro dhe tarifa e koncesionit është 2 % e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave”, njoftoi dje Ministria e Financave. Dikasteri i Bodes vendosi të zbatojë pulla të reja fiskale për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit, dhe birrës me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike. Propozimi i ofruar do të shërbejë për të monitoruar prodhimin, importin dhe shpërndarjen e produkteve të akcizës përmes përdorimit të një sistemi inteligjent dhe të sigurt pullash dhe shënjimi që mban një kod unik të sigurisë së lartë. Periudha e implementimit është 5 muaj nga marrja e lejeve, autorizimeve apo licencave të nevojshme për fillimin e punimeve. E reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron te zbatimi i sistemit Sicpatrace (Secure Track & Trace Solutions), i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror, si dhe gjurmimin e tyre në treg nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit. Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie për të eliminuar falsifikimet e mundshme të tyre, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente (boje unike, e cila do prodhohet nga Kompania vetëm për Shqipërinë) e deri te vendosja e një kodi unik të padukshëm. Sipas specialistëve të angazhuar në këtë proces, funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave fallco. Pullat do të kenë një çmim 14.43 euro/mijë copë, pas një negociate të Ministrisë së Financave me kompaninë, e cila aplikoi një ulje çmimi prej 31% nga vlera fillestare nga 21.00 euro/mijë copë që ishte më parë. Prodhimi dhe stampimi i pullave fiskale dhe atyre të barnave mjekësore është parashikuar të kryhet në Shqipëri, tek ish-Tipografia, në të njëjtin territor ku bëhet dhe personalizimi i pasaportave dhe kartave të identitetit.