E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkonte me dinamit, humb njërën dorë

INCIDENTI/ Ermir Alla, 22 vjeç, pësoi dëmtime të shumta në trup e në fytyrë për shkak të shpërthimit


LIBRAZHD - I shpërthen dinamiti teksa po peshkonte, humb dorën dhe pëson dëmtime të tjera një 22-vjeçar.


Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e së martës. Ermir Alla, 22 vjeç, ka qenë duke peshkuar në përroin e Rrapunit, kur nga pakujdesia i ka shpërthyer dinamiti në duar. I riu përdorte lëndën eksplozive për të kapur peshk, por nuk ka arritur ta hedhë kallëpin e ndezur në kohë e për pasojë është përfshirë nga shpërthimi.


Nga kjo ai ka pësuar dëmtime të rënda duke humbur dorën e djathtë, njërin gisht të dorës së majtë dhe dëmtime të tjera të rënda në fytyrë, por edhe në të gjithë trupin. Bashkë me të kanë qenë edhe të rinj të tjerë, të cilët e kanë dërguar në spital.


Mësohet se edhe pas ndërhyrjes së mjekëve nuk ka pasur asnjë mundësi për dorën dhe njërin gisht. Ndërkohë, i riu është mjekuar dhe gjendja e tij paraqitet nën kontroll. 22-vjeçari me banim në Kuturman kishte zgjedhur peshkimin me eksploziv, por e ka pësuar me gjymtimet e rënda.


Familjarët thonë se nuk dinë asgjë sesi ka ndodhur ngjarja. Ata janë lajmëruar kur djali po transportohej në spital dhe janë përballur me gjendjen e rëndë dhe gjymtimet vetëm në sallën e reanimacionit.


Në vendin e ngjarjes, si dhe në kirurgji kanë mbërritur agjentët e policisë për të sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur shpërthimi. Nga deklarimet e para të të rinjve mësohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Të riut i ka shpërthyer dinamiti nga pakujdesia.


Në vendin e ngjarjes janë mbledhur disa prova, ndërkohë që janë duke u marrë në pyetje edhe persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen. Peshkimi me dinamit është formë që gjerësisht është përdorur dhe vazhdon të përdoret. Dëmi që i shkaktohet faunës, por sidomos personit që e përdor është mjaft i madh, po ashtu edhe rreziku.


Nuk kanë qenë të pakta ngjarjet kur lënda eksplozive që duhet të përdorej për peshq apo edhe për veprime të tjera, ka shkaktuar dëmtime të rënda për përdoruesit. Kjo gjë përcaktohet si vepër penale dhe prokuroria ka nisur hetimin për "mbajtje pa leje të lëndëve eksplozive".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›