E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ritenton vetëdjegien në qeli i dënuari

Bledar Tuna mësohet t'i ketë vënë zjarrin dhomës së tij duke përsëritur skenën e dy vjetëve më parë në Peqin


Burimet zyrtare të burgut u shprehën se qelia e të burgosurit kishte marrë zjarr aksidentalisht, dhe jo me qëllim


FUSHË-KRUJË - Një i burgosur me probleme të shëndetit mendor ka tentuar që të vetëvritet pas një zënke që ka pasur me gardianët e burgut të Fushë-Krujës. Për realizimin e këtij qëllimi ai ka zgjedhur vetëdjegien duke ndezur zjarr në qelinë e vet, e cila është mbuluar nga flakët dhe nga tymi i dyshekëve të qelisë.


Me të parë tymin nga personeli i shërbimeve të burgut janë marrë masat duke ndërhyrë në kohë dhe shpëtuar të burgosurin, i cili ka marrë vetëm disa lëndime të lehta.


Personi që tentoi të vetëdigjej ishte Bledar Tuna, i cili vuan një dënim prej 18 vitesh për një vrasje të kryer në vitin 1997 në Tiranë. Në burgun e Fushë-Krujës ai kishte ardhur pasi qe transferuar nga burgu i Peqinit, pas një tentative të tillë që e kishte eksperimentuar edhe atje, duke ndezur me zjarr qelinë e vet.


Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites. Pas një sherri mes Tunës dhe gardianëve, i dënuari i ka vënë flakën qelisë ku rrinte duke kerkuar që të vetëdigjej mes pajisjeve të ndezura, por është konstatuar shpejt, pasi është mbushur plot tym mjedisi i burgut dhe të burgosurit janë ndier keq në frymëmarrje nga shpërndarja e tij nëpër korridore e qelitë e tjera.


Ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe e efektshme, pasi ai është nxjerrë forcërisht nga atje dhe më pas kanë përdorur zjarrfikëse për të shuar materialet që digjeshin në dhomën e burgut. Personeli i policisë së burgut e ka nxjerrë duke hasur kundërshtimin e tij për të dalë. Atje është dërguar edhe zjarrfikësja, që ka eliminuar vatrat e zjarrit.


Drejtoria e burgut e ka cilësuar këtë rënie zjarri si aksidentale, dhe jo si një ngjarje të qëllimshme nga i burgosuri. Për të ata kanë konfirmuar se vuante nga çrregullime mendore, si dhe se është dashur ndërprerja e rrjetit të energjisë elektrike të burgut për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.


Nga kjo ndërhyrje është shpëtuar i burgosuri, i cili është vënë nën kontrollin e personelit mjekësor, si dhe të psikologëve që shërbejnë per trajtimin e të burgosurve me probleme psiqike.


Por nga brenda burgut ka pasur informacione se ngjarja që ka ndodhur me marrjen flakë të dhomes së të burgosurit nuk ishte thjesht aksidentale, por ka ndodhur pikërisht pas një debati që Bledar Tuna ka pasur me gardianët. Kjo metodë proteste është përdorur edhe më parë prej tij në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit dhe pikërisht për këtë shkak atë e kanë lëvizur në Fushë-Krujë.


Në rastin e parë si shkak kanë shërbyer konfliktet me të burgosurit e tjerë. Ngjarja në Peqin ka ndodhur afërsisht 2 vjet më parë dhe shpjegohet nga psikologët si një ndër format e piromanisë. Bledari vuan dënimin prej 18 vitesh burg për vrasjen e Lulëzim Xhanit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›