Hungarezët: Njoftuam autoritetet para nisjes
Sipas përfaqësisë diplomatike që lëshoi vizat, ata kishin zbuluar se dokumentet dhe deklarimet e studentëve nuk ishin të sakta
Dje grupi i hetimit ka marrë në pyetje disa prej "studentëve" ndërsa pritet përgjigjja e ekspertëve për dokumentet e 53 personave
Ambasada Hungareze në Tiranë ka njoftuar autoritetet shqiptare për anullimin e vizave për 157 personat që kishin aplikuar për viza studentore përpara se ata të niseshin në drejtim të Italisë nëpërmjet portit të Durrësit.
Ky është qëndrimi i ambasadës hungareze në vendin tonë i publikuar gjatë ditës së djeshme nëpërmjet një deklarate shtypi të dhënë prej saj. Sipas deklarimit të dhënë nga përfaqësia diplomatike hungareze në vendin tonë, ata kishin verifikuar të dhënat e paraqitura nga agjencia turistike dhe nga studentët të cilat kishin rezultuar të pavërteta.
Për këtë shkak, sipas tyre, vizat ishin anulluar dhe për këtë ishin njoftuar autoritetet që vizat nuk ishin të vlefshme dhe se asnjë nga përfituesit e këtyre vizave nuk duhej të lejoheshin të udhëtonin. Sipas deklaratës së Ambasadës Hungareze, njoftimi ishte bërë përpara se studentët të niseshin.
Por në të kundërt të pretedimit të përfaqësisë diplomatike të Budapestit, të 167 personat që kishin përfituar vizat ishin nisur nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në një guidë të vendeve të Mesdheut.
Në këtë mënyrë, ka ardhur qëndrimi i Ambasadë së Hungarisë në Tiranë, e cila ka reaguar dje pas skandalit të pajisjes me viza hungareze prej tyre për 167 persona të cilët kishin aplikuar si studentë për një udhëtim në Hungari.
Në deklaratën zyrtare të dhënë nga përfaqësia diplomatike hungareze në vendin tonë, thuhet se vizat e studentëve shqiptarë u anulluan pas zbulimit që ambasada kishte bërë me të dhënat për akomodimin dhe guidën e studentëve në Hungari.
Sipas të njëjtit burim, zyrat konsullore kanë vërtetuar se të dhënat dhe akomodimet në hotele të paraqitura sikur ishte kryer rezevim ishin false përpara se të niseshin studentët në drejtim të Italisë.
Të dhënat e akomodimit në hotel të paraqitura nga agjencia që organizoi udhëtimin dhe nga grupi i studentëve, u zbuluan pas verifikimit të kryer se nuk ishin të vërteta. "Ne kontaktuam menjëherë agjencinë e udhëtimit dhe disa nga anëtarët e grupit, por ata refuzuan të na jepnin shpjegime.
Për arsye të shkeljes së Shengenit dhe të rregullave të tjera, Zyra Konsullore e Ambasadës Hungareze anuloi vizat për studentët",- pohoi Ambasada Hungareze në Tiranë dje nëpërmjet një deklarate shtypi të lëshuar për mediat.
Sipas të njëjtit burim, menjëherë janë njoftuar autoritetet kompetente shqiptare dhe italiane për këtë, përpara nisjes së grupit me traget",- thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës Hungareze në Tiranë.
Përfaqësia diplomatike sqaron se vizat për studentët e universiteteve shqiptare janë lëshuar nga Zyra Konsullore e Ambasadës Hungareze, që përfaqëson Slloveninë në lëshimin e vizave Shengen.
Ambasada Hungareze në Shqipëri shpreh keqardhjen për veprimin e paligjshëm të studentëve dhe agjencisë që organizoi udhëtimin.
Sipas programit të udhëtimit që ishte dorëzuar në Ambasadë, grupi i studentëve, pjesë e universiteteve private, do të qëndronte në Slloveni ndërmjet datave 7 dhe 10 maj dhe më pas itinerari i studentëve përfshinte dhe një ditë qëndrimi në Itali.
Sipas zyrtarëve të Ambasadës Hungareze, agjencia e udhëtimit paraqiti të gjithë dokumentacionin e nevojshëm , duke përfshirë rezervimin e hotelit në Slloveni dhe Itali.
Pas verifikimit të dokumenteve të paraqitura nga agjencia e udhëtimit dhe nga anëtarët e grupit të studentëve, Zyra Konsullore e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë ka vendosur që të lëshojë vizat për 167 studentë, numër ky i konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit.
Por vetëm një ditë pas lëshimit të vizave, kjo Ambasadë vendos anulimin e të gjitha vizave pas zbulimit se të dhënat për akomodimin e studentëve ishin false.
Dërgohen për ekspertim dokumentet
Grupi i hetimit i ngritur për këtë çështje do të kryejë ekspertimin e dokumentacionit të 53 anëtarëve të grupit që dyshohen që nuk janë studentë. Gjatë ditës së djeshme, janë marrë në pyetje disa studentë nga Task- Forca e Prokurorisë së Tiranës, që janë pyetur për shumat e paguara për vizën si dhe itinerarin e lëvizjes që do të ndiqnin.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se disa studentë që janë marrë në pyetje kanë deklaruar se administratorja e agjencisë që është e arrestuar, i ka kërkuar grupit të studentëve që ky numër të ishte edhe më i lartë.
Gjatë ditës së djeshme, janë marrë në pyetje dhe dy të arrestuarit, administratorja e agjencisë që organizoi udhëtimin dhe studenti i Drejtësisë, që studionte në një nga universitetet private në Tiranë.
Pas zbulimit se në grupin e udhëtimit të studentëve ishin përfshirë dhe persona që nuk ishin studentë, dy ditë më parë, policia arrestoi dy persona të dyshuar se ishin organizatorët e udhëtimit dhe katër të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë.
Personat, sipas burimeve zyrtare të Policisë, akuzohen për falsfikim të dokumenteve dhe organizim dhe favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit.