Peshkopi, sekuestrohen 18 kg hashash, dy në pranga
Policia e Dibrës ka sekuestruar 18 kg hashash dhe ka arrestuar dy persona, të cilët ishin duke transportuar lëndën narkotike. Pas hetimeve të kryera, u realizua një operacion nga agjentët e policisë në Peshkopi, ku është sekuestruar sasia e lëndës narkotike, si dhe u vunë në pranga Fatmir Hidri, 32 vjeç dhe Shpendi Hidri, 40 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga policia, droga do të sillej në Tiranë nga dy të arrestuarit. Agjentët e policisë, sipas të njëjtave burime, janë duke punuar për të identifikuar të tjerë persona, të cilët mund të jenë pjesë e këtij grupi që merrej me “prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”. Dy personat e arrestuar, për të cilët policia kishte njoftime që kishin në pronësi drogë, banonin në të njëjtën lagje. Sipas burimeve, operacioni për arrestimin e tyre u realizua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke iu gjetur në posedim 18 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Droga ishte futur në katër qese të zeza, të cilat zakonisht përdoren për mbeturinat. Ndaj dy personave u vunë prangat nga agjentët e policisë dhe ata u çuan në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që uniformat blu vazhduan aksionin duke kryer kontrolle edhe në banesat e dy personave të arrestuar. Nga kontrolli i kryer rezultoi se në banesën e Fatmir Hidrit u gjet edhe një sasi tjetër prej 814 gramë hashash.
Hetimi
Agjentët e policisë në Drejtorinë e Qarkut Dibër kishin disa kohë që kishin nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e dy të arrestuarve Hidri. Nga hetimet paraprake, rezulton se droga dërgohej në kryeqytet. Për ta transportuar atë, përdoreshin furgonat e linjës rrugore Peshkopi-Tiranë. Sipas burimeve nga policia, mendohet se të përfshirë në këtë trafik të lëndëve narkotike janë edhe persona të tjerë. Megjithatë, nga agjentët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndërkohë që dy personat e arrestuar janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike”. Policia ka sekuestruar edhe telefonat e tyre, përmes të cilëve pritet që të zbardhen linjat e tregtisë së drogës dhe personat e implikuar në të.
Detaj
4 ishin qeset e zeza ku ishte sistemuar gati për transport lënda narkotike, që iu kapën
Arrestohet 25-vjeçari, kapet me lëndë narkotike
Policia e Tiranës ka arrestuar një 25-vjeçar, i cili u kap me lëndë narkotike. Specialistët e Luftës Kundër Drogës vunë në pranga Redi C., lindur dhe banues në fshatin Prush, Komuna Vaqarr. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye se pas kontrollit të bërë në automjetin e tij tip “Renault”, me targa TR 8217 C në rrugën “Petraq Leka”, Kombinat, i është gjetur poshtë sediles së shoferit dhe i është bllokuar një dozë pluhuri me ngjyrë bezhë e dyshuar heroinë me peshë 0.5 gramë. Ai është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. 25-vjeçari akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.