E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve, grupi kriminal dënohet me 75.6 vjet burg



Trafiku klandestin në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e dy efektivave të Policisë Kufitare, dënohen me plot 75.6 vjet heqje lirie dhe 66.3 milionë lekë 10 të pandehurit. Ky ka qenë dje verdikti përfundimtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të cilët i deklaruan fajtorë të pandehurit për një sërë veprash kriminale, që nga “dhënia e ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit”, “trafik qeniesh njerëzore në bashkëpunim”, “falsifikim dokumentesh” deri në akuzën e “grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprimeve nga ky grup”. Gjatë leximit të dispozitivit të vendimit, kryesuesja e trupit gjykues, Liljana Baku, shpalli fajtor dhe dënoi me 11 vjet e 6 muaj burg dhe 8 milionë lekë gjobë të pandehurin Arben Sulaj; 11 vjet burg dhe 10 milionë lekë gjobë për të pandehurin Hodo Corro; 11 vjet burg dhe 8 milionë lekë gjobë për të pandehurin Ergerst Rabaj; me nga 10 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë për të pandehurit Leonidha Cara e Krenar Boçi; nga 5 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë për të pandehurit Ermal Kacaj, Eugen Gracenaj, Kreshnik Gërbi, të cilët u dënuan vetëm për veprën penale “trafik qeniesh njerëzore”, duke u lehtësuar nga akuza “grup i strukturuar kriminal”; si dhe 1 vit burg e 30 mijë lekë gjobë për të pandehurin Ermal Fidhi, i akuzuar vetëm për akuzën e “korrupsionit pasiv”, duke e lehtësuar atë nga akuza e “trafikut klandestin”, me arsyetimin se është dënuar njëherë për këtë vepër penale në Greqi. Në përfundim të seancës, të pandehurit kanë reaguar nga kafazi, duke iu drejtuar gjyqtares Baku se “kjo ishte pretenca zonja gjyqtare, jo vendimi. Nuk jemi shqiponja që të na dënoni, por njerëz”.

Aktiviteti kriminal

Sipas akuzës, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të shumave prej 1000-1300 eurosh, kanë bërë të mundur kalimin e shtetasve shqiptarë drejt Greqisë. Ish-inspektori i Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, Ergest Rabaj, njihej si ndërmjetësi mes trafikantëve dhe efektivëve të tjerë të policisë. Sipas akuzës, Rabaj ishte personi që mbante lidhje me kreun e grupit kriminal, Arben Sulën, i njohur edhe me pseudonimi “Maloku”. Ky i fundit mësohet se i jepte Rabajt 200 deri në 300 euro për çdo klandestin, që kishte paguar për të kaluar kufirin pa probleme. Më pas, Rabaj ua shpërndante lekët kolegëve të tij, të cilët duhej të “mbyllnin njërin sy”, por dhe duhej të garantonin kalimin pa probleme të grupeve me klandestinë. Zakonisht, kalimi i kufirit bëhej kur krerët e grupit të trafikantëve merrnin garanci nga bashkëpunëtorët e tyre në polici që rruga ishte e lirë. Sipas akuzës, nga marrja në pyetje e klandestinëve u evidentua se zonat e Ginës dhe Dritat, ishin vendet ku grupi në fjalë ka realizuar kalimet në drejtim të territorit grek.

Hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi shtatë raste të trafikut të klandestinëve në drejtim të Greqisë. Aktiviteti i trafikut ka qenë konstant, fakt të cilin e vërtetojnë edhe rastet e zbuluara në datat 3, 6, 14, 27 mars, 14 prill, 5 dhe 11 maj të këtij viti. Vetëm në datën 27 mars, organizata realizoi kalimin e paligjshëm të kufirit për 18 klandestinë, të cilët në sajë të bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato greke, së bashku me korrierët e tyre, u kapën dhe u riatdhesuan. Gjatë hetimit gjashtëmujor të kësaj organizate, është zbuluar se kapoja i kësaj organizate është Arben Sula, i njohur edhe me pseudonimin “Maloku”. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se klandestinët u paguanin organizatorëve të trafikut shuma që varionin nga 1.000 deri në 1.300 euro, për person të rritur dhe 900 deri në 1.000 euro, për fëmijët dhe minorenët.

Detaj

66.3 milionë lekë është masa e dënimit shtesë me gjobë për 10 të pandehurit

200 deri në 300 euro i jepeshin të pandehurit Rabaj për çdo klandestin që kishte paguar, për të kaluar kufirin pa probleme

900 deri në 1.000 euro paguanin familjarët për fëmijët dhe minorenët që do kalonin si klandestinë

1000-1300 euro për person paguanin klandestinët e rritur tek organizatorët e trafikut

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Ergerst Rabaj, 11 vjet burg e 8 milionë lekë

Hodo Corro, 11 vjet burg e 10 milionë lekë

Arben Sulaj, 11 vjet e 6 muaj burg e 8 milionë lekë

Krenar Boçi, 10 vjet burg e 8 milionë lekë

Leonidha Cara, 10 vjet burg e 8 milionë lekë

Ermal Kaçi, 5 vjet burg e 6 milionë lekë

Lorenc Meçi, 5 vjet burg e 6 milionë lekë

Kreshnik Gërbi, 5 vjet burg e 6 milionë lekë

Eugen Gracenaj, 5 vjet burg e 6 milionë lekë

Ermal Fidhi, 1 vit burg e 30 mijë lekë gjobë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›