E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni Damir Fazlliç dëshmon para prokurorëve



Për herë të parë, biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç përballet drejtpërdrejt me Prokurorinë shqiptare dhe dy prokurorët që e kanë marrë nën hetim. Për rreth dy orë e gjysmë, biznesmeni është njohur me hetimet që po bëhen për të. Pasi ka përfunduar dëshminë e tij, në prani të dy avokatëve, Genc Gjokutaj e Ibrahim Lahi, para prokurorëve Dritan Rreshka e Besnik Cani, biznesmeni Fazlliç është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës duke u shprehur se “respektoj institucionet e Republikës së Shqipërisë. Iu përgjigja thirrjes për të dëshmuar, me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama përmes një letër-porosie të dërguar nga Ministria e Drejtësisë”. Kaq ka qenë deklarimi i dhënë për mediat nga biznesmeni, ndërkohë që është larguar në drejtim të aeroportit për t’u rikthyer drejt Londrës. Të rezervuar për të dhënë deklarime rreth seancës së marrjes në pyetje të Fazlliç, kanë qenë edhe dy prokurorët e çështjes, të cilët të kontaktuar menjëherë pas përfundimit të dëgjimit të dëshmisë së tij, janë shprehur se nuk kanë asnjë koment rreth kësaj çështjeje. “Damir Fazlliç i është përgjigjur thirrjes sonë për të dëshmuar lidhur me hetimet që jemi duke kryer për të. Nuk kemi asgjë për të thënë rreth asaj çka u deklarua gjatë seancës së pyetjeve”, - u shprehën prokurorët Cani dhe Rreshka.

Mbërritja

Damir Fazlliç mbërriti mëngjesin e djeshëm në Tiranë, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë thirrjes së prokurorëve të çështjes, për t’u njohur me hetimin nisur ndaj tij, si dhe për të shpjeguar rreth objektit të hetimit. Thirrja u bë përmes një letër-porosie të dërguar në Londër nga Ministria e Drejtësisë, ku i kërkohej Damir Fazlliç të jepte dëshminë e tij lidhur me akuzat që ngriheshin. Baza ligjore për thirrjen e një personi nën hetim në këtë mënyrë janë neni 509 dhe nenet në vazhdim, çka sigurojnë këtë shtetas se nga organi i akuzës nuk mund të ndërmerret asnjë hap ndalimi ndaj tij. Të pyetur mbi këtë mënyrë thirrjeje të Fazlliç, prokurorët shprehen se është diçka krejt normale dhe se në asnjë moment nuk ka pasur ndonjë iniciativë për të ndaluar apo arrestuar biznesmenin serbo-boshnjak. Pasi ka mbërritur në Tiranë, përmes dy avokatëve, Fazlliç ka njoftuar prokurorët për mbërritjen, duke përcaktuar edhe orarin kur do paraqitej për të dhënë dëshminë në Prokurorinë e Tiranës. Para mbërritjes në organin e akuzës së kryeqytetit, Fazlliç ka takuar dy avokatët e tij në ambientet e hotel “Sheraton” dhe në orën 15:45 është parë të futet i shoqëruar nga dy avokatët në Prokurorinë e Tiranës, për në zyrën e prokurorit Dritan Rreshka. Data 20 shkurt ishte përcaktuar nga prokurorët si afati i fundit për t’u paraqitur në Tiranë nga biznesmeni nën hetim. Në prani edhe të një përkthyesi shqiptar, Damir Fazlliç ka dhënë shpjegime rreth akuzave për pastrim parash në vendin tonë, duke blerë dhe më pas shitur kompani që nuk zotërojnë kapital.

Hetimet

Prokuroria ka hedhur dyshime, madje duke paraqitur fakte para gjyqtarit Artan Broci në lidhje me blerjen e dy pronave nga Damir Fazllic, përkatësisht në Durrës dhe në Porto Romano me vlerën 1.7 milion euro, të cilat nuk zotërojnë asnjë kapital. Dyshimet për pastrim parash janë përforcuar gjatë seancave të zhvilluara në Gjykatën e Tiranës, ku sipas prokurorëve të çështjes është zbuluar një transfertë prej 1.7 milion eurosh nga Shqipëria drejt një banke në Zyrih, në emër të Damir Fazlliç. Ndërkohë,serbo-boshnjaku ka mbërritur në Tiranë dhe po dëshmon në lidhje me dyshimet për kompanitë fantazmë në Shqipëri. Prokuroria ka kërkuar informacion në Bosnjë, në Zyrih dhe Angli, për të gjithë veprimtarinë e serbo-boshnjakut.

Dëshmitë

Hetuesit e çështjes kanë grumbulluar një sërë provash materiale dhe kanë marrë në pyetje si në cilësinë e personave deklarues dhe personave që kanë dijeni për çështjen. Ndërkohë në mesin e të pyeturve nga akuza janë edhe avokatja Flutura Kola dhe bashkëshorti i saj, Florenc Kola, i cila ka qenë personi që në emër të kompanisë së personit nën hetim ka blerë 14 hektarë tokë në dy parcela në fshatin Rinia të Komunës së Porto-Romanos në Durrës. Përveç pyetjes së tyre, mësohet se prokuroria ka pyetur të gjithë pronarët e mëparshëm të këtyre pronave që ia kanë shitur tokën kompanisë së serbo-boshnjakut Fazlliç. Gjithashtu, sipas burimeve nga akuza, hetuesit kanë sekuestruar njëkohësisht të gjitha kontratat e shit-blerjes së këtyre pronave, me një çmim prej 14 euro metri katror. Ata janë shprehur se blerësit kanë qenë korrektë në pagesat e tokës, të cilat janë kryer nga avokatja Flutura Kola dhe bashkëshorti i saj, Florenc Kola. Gjatë dëshmisë së tyre, ata janë shprehur se "kanë kryer veprime ligjore dhe korrekte mes shitësve të tokave dhe blerësit, serbo-boshnjakut Damir Fazlliç". Gjithashtu, gjatë javës që vjen pranë Gjykatës së Apelit do të shqyrtohet edhe ankimi i prokurorisë, që ka kërkuar pranë kësaj gjykate pavlefshmërinë e vendimit të gjyqtarit Artan Broci, i cili e ka cilësuar sekuestrimin e aseteve dhe kompanive të shtetasit Damir Fazlliç të paligjshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›