Peshku i Radhimës, specie shumë e rrallë
Peshku i rrallë 41 kilogramësh që bëri mbret për një ditë peshkatarin e Radhimës, Njazi Mustafa, jo krejt rastësisht quhet "Peshk Mbret" dhe i takon një specieje të rrallë, që jeton në ujëra përmbi 100 metër të thella. Emri shkencor i tij është "Lampris Regius", ndërkohë që emri më popullor është "Peshku Mbret", ndërsa në një tjetër version në gjuhën angleze njihet edhe si "Peshku i hënës". Sipas definicionit shkencor, peshku përshkruhet si "peshk ekstremist vezak me ngjyra të ndezura i ujërave të thella të oqeaneve Atlantik, Paqësor dhe i Mesdheut". Peshku që ka për karakteristikë një gojë të vogël, mund të arrijë gjatësi maksimale më shumë se një metër, jeton në ujëra të hapura dhe bie në duar të njerëzve shumë rrallë dhe në të gjitha rastet jo sepse është ai objekt peshkimi. I përket kategorisë së peshqve grabitqarë e për rrjedhojë ka mish shumë të shijshëm. "Peshku Mbret" ushqehet me peshq të vegjël dhe kallamarë dhe është shumë i zoti ta bëjë këtë edhe pse gojën e ka pa dhëmbë. Emrin e veçantë duket se e ka marrë prej faktit se bie shumë rrallë në duar të njeriut por dhe sepse kur është kapur i ka mahnitur njerëzit me pamjen e mrekullueshme. Kapja e këtij lloj peshku ka shkaktuar gjithmonë sensacione, sidomos individët ekstremist të mëdhenj. Kështu për shembull, kapja e një "Lampris regius" (Peshku Mbret) nga japonezët më 11 shkurt 1964 (çuditërisht me rastin e Radhimës jemi në të njëjtën periudhë kohore të vitit) është shënuar si ngjarje e rrallë. Kjo për faktin se "Peshku Mbret" ishte një individ që mund të konsiderohet si më i madhi i kapur historikisht. Ai u kap në Oqeanin Paqësor, në thellësinë 100 metër, peshonte 64 kilogramë dhe ishte i gjatë 119 centimetër.