SOS në det, dallgët rrëmbejnë peshkatarin
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Dallgët tërhoqën dje paradite në thellësi të detit varkën e një peshkatari nga Orikumi, duke i rrezikuar jetën. Pas dhënies së sinjalit Sos, mjetet ushtarake të bazës së Pashalimanit, si dhe të Guardia di Finanza, arritën të lokalizojnë varkën që kishte marrë drejtimin e ishullit të Sazanit. Peshkatari 45-vjeçar, Petrit Maliqi ndodhej në mëshirë të fatit mes dallgëve pasi ai e kishte të pamundur ta komandonte varkën me lopata. Sipas policisë, Maliqi kishte dalë që në orën 06:00 për peshkim. Ai kishte hedhur rrjetat afër bregut, pasi mjeti i tij nuk kishte motor. Por rreth orës 09:00, nisi një erë e fuqishme e cila tërhoqi peshkatarin amator në thellësi. Moti vijoi të përkeqësohej, ndërsa shpejtësia e erës nisi ta spostonte akoma më shumë varkën. Duke parë rrezikun, 45-vjeçari është munduar të komandojë mjetin, duke vepruar me lopatat. Por forca e dallgëve ishte e madhe. Ai është lodhur shumë shpejt dhe nuk ka mundur të veprojë më. Punonjësit e disa bareve e restoranteve të Orikumit kanë vënë re varkën që po tërhiqej në det të hapur. Duke marrë me mend rrezikun në të cilin ndodhej peshkatari, ata sinjalizuan policinë. Pas sinjalit SOS, menjëherë janë angazhuar në operacionin e shpëtimit mjetet e policisë kufitare, anijet e distriktit, një anije ushtarake e Pashalimanit, si dhe të Guardia di Finanza. Rreth orës 12:00, mjeti ushtarak i Pashalimanit arriti të lokalizojë varkën në afërsi të ishullit të Sazanit. Ata i dhanë ndihmë peshkatarit duke e tërhequr bashkë me varkën e tij deri në bregun e Orikumit. Sipas kapitenit Artur Meçollari, nëse nuk do të ishte njoftuar në kohë, jeta e peshkatarit do të ishte në rrezik sepse mund të ishte tërhequr nga era dhe dallgët në det të hapur deri në zhdukjen e tij. "Prej 12 vitesh, i detyruar nga kushtet ekonomike peshkoj me varkë me lopata. Nuk kam mundësi të blej një motor. Dola dhe dje si çdo ditë, por fare papritur, në orarin kur unë do të nisja të mblidhja rrjetat, deti u përkeqësua. Dallgët po më tërhiqnin në thellësi. U mundova të dilja në breg dhe të komandoja varkën, por më lanë fuqitë. Nuk kisha as telefon për të lajmëruar, ndaj e lashë veten në mëshirë të fatit", u shpreh dje peshkatari Maliqi, i cili luftoi me dallgët përreth 2 orë. Sipas tij, ai nuk kishte parë asnjë mjet lundrimi për t'i kërkuar ndihmë. "Kur pashë që po më afroheshin anijet, kuptova se po më shpëtohej jeta. Unë punoj për bukën e fëmijëve dhe nga kjo punë nuk përfitoj më shumë se 2 mijë lekë në ditë", tha peshkatari.