Dy pyetje për një grevë
Edmond Tupja
Nuk habitem shumë duke vërejtur moskokëçarjen e qeverisë ndaj grevës së studentëve lidhur me diplomën paçavure apo, më saktë, paçavuren diplomë që do t’u jepet atyre si dëshmi e përfundimit të ciklit të parë të studimeve universitare në përputhje me Sistemin e Bolonjës, por po shtangem tek vërej indiferentizmin e kolegëve të mi pedagogë në universitetet e Tiranës dhe më gjerë, në ato të rretheve, lidhur me këtë grevë. Thuajse të pambështetur – vetëm një rektor dhe disa dekanë kanë shprehur publikisht ose gjysmëpublikisht mirëkuptimin e tyre –, grevistët kanë bojkotuar pardje mësimin. Edhe unë bashkë me ata, për ata.
E kuptoj dhe e përkrah grevën e studentëve të mi, jo vetëm sepse është e drejtë, por edhe se dëshmon që po piqet, ndonëse me vonesë, një ndërgjegje studentore që ndoshta, në një të ardhme jo të largët, do t’i detyrojë qeveritarët tanë, të majtë apo të djathtë qofshin ata, të merren më seriozisht me fatet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe me të ardhmen e studentëve shqiptarë që “diplomohen” brenda vendit.
Sot, me ose pa lejen e ministrit Bejo, të pararendësit të tij Pollo, aktualisht zëvendëskryeministër, dhe të vetë kryeministrit Berisha, dëshiroj e këmbëngul t’u freskoj atyre kujtesën duke u ripërmendur prejardhjen e fjalës “grevë” dhe të shprehjeve “bëj grevë” e “jam në grevë”. Për këtë do t’i referohem fjalorit “Le Petit Robert”, Paris 2001, në variantin e tij elektronik.
Së pari, fjala “grevë” vjen nga frëngjishtja “grève” që do të thotë “ranishte”: Në Paris, “La Grève” ose “La place de Grève” quhej dikur sheshi buzë lumit Senë, sot “Sheshi i Bashkisë”, ku kryheshin ekzekutimet; po në këtë shesh, dilnin të papunët për të “bërë grevë”, për të “qenë në grevë”, d.m.th. për të pritur që dikush t’i merrte në punë, pak a shumë si sot, në Tiranë, ku të papunët dalin te monumenti i Partizanit të panjohur në pritje për t’u punësuar nga cilido qoftë. Nëqoftëse do ta vazhdonim këtë analogji franko-shqiptare, i bie që sheshi i Grevës në kryeqytetin tonë të zhvendoset buzë Lanës, i vetmi “lumë” që e përshkon atë nga lindja në perëndim pak a shumë si Sena kryeqytetin francez. Tani që e pranuam këtë analogji, i bie detyrimisht që të pranojmë edhe të tjerat që rrjedhin prej saj. Në këtë kuadër, lindin pashmangësisht dy pyetje: 1. Cilët janë ata që do të duhej të ekzekutoheshin në sheshin e Grevës buzë Lanës? dhe 2. Cilët janë ata që do të duhej të shkonin atje për të gjetur ndonjë punëdhënës?
Ndryshe nga ç’ndodhte në Mesjetë, në epokën e sotme, do të ishte një spektakël mizor të ekzekutoheshin publikisht të dënuarit dhe turma të bënte sehir; le që nuk ka më dënim me vdekje në Shqipërinë kapitaliste. Prandaj, pyetja e parë bie vetvetiu poshtë. Atëherë le të merremi me pyetjen e dytë.
Qoftë në sheshin e Grevës buzë Lanës, qoftë te monumenti i Partizanit të panjohur, i takon që të dalin së shpejti studentët shqiptarë, të cilët do të kenë mbaruar ciklin e parë të studimeve të tyre universitare. Të dalin duke valëvitur diplomën paçavure ose, më saktë, paçavuren diplomë. Të dalin sidomos studentët grevistë, por me një kusht: që të marrin pas tyre, me hir ose me pahir, edhe pedagogët, shefat e departamenteve, dekanët e rektorët që nuk e përkrahën grevën e tyre, për t’u thënë pa pikë ndrojtjeje: “Merreni këtë diplomë paçavure ose, më saktë, këtë paçavure diplomë, këtë dëshmi të dijeve që na dhatë e që nuk po na shërben për asgjë. Merreni dhe përdoreni për çka keni nevojë nga mesi e lart, por edhe nga mesi e poshtë!”. Por jo vetëm kaq. Studentët e paçavurdiplomuar do të bënin shumë mirë të merrnin me vete tërë ministrat e Arsimit dhe kryeministrat e vendit gjatë këtyre viteve të tranzicionit dhe, atje, buzë Lanës, t’u kujtonin borxhet që ata u kanë atyre, të shkuarës, të tashmes e të ardhmes së tyre zhgënjyese, t’u kujtonin atyre, pra, gjynahet e dhi(mb)shme para se t’i shtynin brenda në Lanë (deri atëherë, shpresoj që uji i Lanës të jetë kristal i pastër, madje edhe i pishëm) në mënyrë që gjynahqarët të lanin ndërgjegjet e tyre.
Së fundi, por jo më së paku, nëse ndonjë nga lexuesit e rubrikës sime të sotme guxon t’i kthehet pyetjes së parë, të mos e gënjejë mendja se unë do të denjoj t’i jap përgjigje. Le t’u drejtohet historianëve, vetëm ata mund ta sqarojnë se cilët ishin ata që ekzekutoheshin në sheshin e Grevës, në Paris, këtu e disa shekuj më parë.