Pesic: Serbët po helmohen me përrallat se “do të kthehen në Kosovë”

Para Serbisë janë dy alternative: a duan në Evropë pa Kosovën, apo nuk duam në Evropë prapë pa Kosovën. Kjo është gjëja e vetme që na ofrohet. Nëse vazhdojmë me politikën aktuale, “edhe Kosova edhe BE”, nuk do të fitojmë gjë, thotë deputetja e Parlamentit serb, Vesna Pesic.
Ajo thotë se pushteti në Serbi duhet ta kuptojë faktin se kufijtë në Ballkan janë shkruar dhe se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, në çka besohet në qarqet rreth Boris Tadicit. Siç thotë ajo, nuk do të lejohet hyrja e dhunshme e Prishtinës në veriun e Kosovës, por nuk do të lejohet as gjendja e tashme e parregulluar atje sepse është burim i përhershëm i tensioneve, dhunës dhe situatave të rrezikshme.
“Është reale që në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së, të arrihet autonomia e gjerë për veriun e Kosovës, e cila do të ruante institucionet e serbëve në Kosovë që ato të mos i dorëzoheshin Prishtinë, por kjo do të thotë se do të jetë autonomi në kuadër të shtetit të Kosovës”, ka thënë Pesic për “Blic” .
Në pyetjen nëse dikush në Serbi ka guxim ta pranojë këtë plan, që për ta nënkupton pranimin e pavarësisë së Kosovës, Pesic thotë se “këtu qëndron problemi”.
“Guxim nuk ka dhe kjo na dëmton më së shumti neve, qytetarëve të Serbisë. Prandaj do të jemi të gozhduar në një politikë të pasuksesshme e cila do të përfundojë ashtu që nuk do të jemi në BE, e nuk do ta kemi Kosovën, se kjo moti është humbur”, ka thënë ajo, për të shtuar se populli po helmohet me “përrallat se do të kthehen në Kosovë”.
“Ky është iluzion sepse njëra anë e ofertës nuk ekziston. Nuk mund të ofrohet diçka që nuk e ke. Kur presidenti Tadic ka thënë se interesat tona nacionale nuk e rrezikojnë askënd, unë do ta shtojë një fjali e të them: pos neve”. (Telegrafi)