E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peskara, theret tifozi shqiptar, bëri tifo për Barcelonën

ROME- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas ndeshjes së Champions League mes Barcelonës dhe Milanit, e përfunduar në barazim 2-2. Në qytetin e Peskarës, një shqiptar me inicialet K.I., 38-vjeçar, ka qenë shumë pranë vdekjes, pasi është goditur disa herë me një xham të mprehtë nga një italian, tifoz i Milanit. Sherri ka nisur në një nga lokalet në qendër të Peskarës, pranë zonës së stadiumit “Adriatico”, pas golit të barazimit 2-2 të shënuar nga Tiago Silva. Shtetasi italian Karmelo La Rosa, 51 vjeçar dhe ai shqiptar, kanë nisur të zihen pas daljes nga bari ku po shihnin ndeshjen. Të dy ishin me profesion muratorë, madje kolegë pune. Sherri banal ka çuar në një ngjarje tragjike, pasi La Rosa i ka prerë arterien femorale, që ka shkaktuar një hemorragji të frikshme. Shqiptari është dërguar menjëherë në spital dhe është ende në gjendje rreziku për jetën, ndërsa informacionet e mjekëve janë të rezervuara. Disa qytetarë që ndodheshin aty pranë, kanë parë gjithë ngjarjen dhe kanë telefonuar menjëherë policinë, e cila ka arrestuar shtetasin italian La Rosa. Janë ndaluar gjithashtu edhe katër persona, të cilët po tentonin të largoheshin, por që në të vërtetë ishin thjesht dëshmitarë okularë. Nga dëshmia e tyre është bërë i mundur edhe arrestimi i shpejtë. Ata kanë treguar se në lokal, dy grupe tifozësh ishin duke parë ndeshjen Barcelona-Milan dhe gjatë kalimit të minutave, tifozllëku është ndezur, sidomos mes shqiptarit K.I. dhe italianit nga Katania, Karmelo La Rosa. Sipas tyre, në bar shpërthyen një sërë komentesh ofensive kundër skuadrave rivale, por jo deri në atë pikë sa të shkohej në plagosje. Dy tifozët janë kapur me duar pranë lokalit, por aty janë ndarë nga miqtë e përbashkët. Por, shqiptari K.I. dhe italiani Karmelo La Rosa, jetonin në një pallat dhe gjithçka ka vijuar aty. Tifozi shqiptar ka marrë një thikë, ndërsa ai italian, sipas mediave vendase për t’u mbrojtur, ka marrë një copë xhami të një kabine telefonike dhe pasi ka ndalur thikën, i ka prerë arterien femorale me një goditje precize në këmbë. Shqiptari do të qëndrojë disa ditë në spital, ndërsa italiani është prangosur.
(Altin Latifi./balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›