E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet pronari i konsullatës fantazmë

Operacioni i policisë i koduar me emrin “Oxhaku” zbuloi dhe arrestoi dje në Tiranë një nga falsifikatorët më të fuqishëm në kryeqytet. Ai kishte krijuar një “konsullatë” fantazmë duke siguruar dokumente të dhjetëra institucioneve për klientët e tij. 

Dashamir Biçaku

Policia bllokoi 70 vula, mes të cilave shumica të ambasadave dhe dhjetëra institucioneve në vend, si dhe shumë komunave dhe njësive vendore shqiptare dhe kosovare. Gjatë aksionit policia i bllokoi vula, stampa, formularë të institucioneve, mes të cilave edhe të Ministrisë greke të Punës. Bashkim Sejdini, 55 vjeç, banues në Tiranë pranë xhamisë tek zona e quajtur “Oxhaku”, është arrestuar dje në mesditë nga zyra e antikrimit ekonomik në kryeqytet. Sejdini, sipas policisë akuzohet për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe falsifikim të vulave e formularëve. Ai u kap nga agjentët e antikrimit ekonomik në Rrugën e Kavajës, pranë bllokut të ambasadave në një prej lokaleve të kësaj zone. Lajmi është bërë i ditur për gazetën, nga burime zyrtare të policisë, cilat pohuan se Sejdini, u arrestua në momentin ku po dorëzonte një porosi të klientëve të tij. Për këtë porosi, sipas burimeve të policisë Sejdini kishte marrë rreth 10 mijë lekë të reja. Sapo të dy personat kanë këmbyer paratë me porosinë (dokumente të falsifikuara), tre agjentët të policisë kanë ndërhyrë duke ndaluar të dy personat e pranishëm. Policia ka mësuar se pikërisht në këtë vend, Bashkim Sejdini merrte porositë e ndryshme që i kërkoheshin nga klientët. Në të njëjtën “zyrë” ai edhe i dorëzonte porositë klientëve që i kishin kërkuar dokumentet false sipas kërkesave që kishin dhe pasi kishin bërë edhe pazarin. Pikërisht në këtë zonë dje në mesditë, Bashkim Sejdini është prangosur nga agjentët e policisë bashkë me klientin e tij dhe të dy ata janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Tiranës. Pas shoqërimit, blutë kanë nisur një kontroll në banesën e Sejdinit, ku kanë zbuluar një mal me dokumente false, vula dhe stampa të llojeve të ndryshme. Kështu agjentët kanë vënë re se në banesën e tij, veç dokumenteve dhe vulave, kishte edhe formularë të ambasadave të ndryshme, vula dhe dokumente që lëshoheshin prej tyre. Hetuesit bllokuan edhe dokumente të regjistrimit të biznesit si libreza regjistrimi, të pagesave të tatimeve, libreza të sigurimeve shoqërore dhe patenta të llojit të vjetër. Mes dokumenteve kishte dokumente dhe vula që lëshohen nga zyra të komunave të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Pagesat e tyre sipas burimeve të policisë varionin sipas rëndësisë së dokumentit ku patentat të cilat kapnin shifrën e 10 mijë lekëve të reja minimalisht, por pagesat shkonin deri në 15 mijë lekë. Dokumentet e tjera sipas hetuesve varionin nga 1 mijë deri në 3 apo 4 mijë lekë të reja për plotësimin e falsifikuar të secilës.

Sekuestruar

70 vula të institucioneve të ndryshme si:
Bashkisë së Tiranës
Prokurorisë Tiranë
Gjykatës Tiranë
Ministrisë së Punës të Greqisë
Ministrisë së Punës së Shqipërisë
Vula të Hipotekës
Doganave të Durrësit e Tiranës
Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Komunave Prishtinë, Deçan, Mitrovicë, Suharekë,
Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit
Fakultetit të Shkencave Sociale
Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›