E Diel, 1 Nëntor 2026

Petersen: Kosova të merret me imazhin



Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, i tha BBC-së se pas vendimit të GJND-së Kosova duhet të merret me problemin e imazhit të saj. Ai tha se udhëheqësit politikë në Kosovë duhet t’i tregojnë botës se Kosova i meriton njohjet e reja dhe investimet e huaja.
Zoti Jessen-Petersen tha se vendimi i gjykatës ka larguar të gjitha paqartësitë dhe, gjithashtu, edhe faktorët e jashtëm përcaktues që kanë penguar përparimin e Kosovës. Jessen-Petersen tha se Beogradi zyrtar duhet të heqë dorë nga pengimi i integrimit rajonal dhe evropian të Kosovës dhe t’i kthehet reformave të brendëshme. Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Jessen-Petersen dhe fillimisht e pyeti nëse vendimi i GJND-së në favor të Kosovës do të ndryshojë rrethanat në Ballkan dhe gjithashtu edhe në vetë Bashkimin Evropian.

Z. Jessen-Petersen: Mendoj se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe, gjithashtu, një moment i veçantë për Kosovën dhe për të gjithë miqtë e saj. Por mendoj se është, gjithashtu, një moment përcaktues sepse deri tani paqartësia që e ka prekur Kosovën, megjithëse nuk kishte asnjëherë dilema për pavarësinë sepse ajo ishte e pakthyeshme, por kishte një paqartësi mbi Kosovën, e para për shkak të një procesi të gjatë të përkohshëm të OKB-së, pastaj gjatë procesit të statusit dhe në fund më e rëndësishmja Serbia vendosi që të dërgonte këtë rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo paqartësi, siç e dimë, kishte një ndikim negativ në përparimin e Kosovës, njohjet u ngadalësuan më shumë se sa shpresohej dhe investimet nuk po vinin në atë masa sa ka nevojë Kosova. Mendoj se dallimi qëndron aty se deri tani kishte faktorë të jashtëm që e kanë penguar përparimin në Kosovë. Tani kjo u zgjidh dhe situata është shumë e qartë. Dhe tani unë mendoj se është në duart e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që të adresojnë pengesat që qëndrojnë në rrugën e njohjeve të mëtejme dhe të investimeve të huaja.

BBC: Por, zoti Jessen-Peteresen ka ende pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. A është ky vendim i GJND-së një lloj shenje edhe për këto vende që të ecin kësaj rruge?

Z. Jessen-Petersen: Mendoj se vendimi do të japë një shenjë për shumë vende jashtë Evropës që kanë pritur për këtë vendim dhe unë gjithashtu shpresoj dhe besoj, para se të vijë rradha tek këto vende të BE-së, se Serbia do t’i kushtojë një vëmendje jo vetëm vendimit të Gjykatës, por edhe vetëvetes. Mund të thuhet se ata kanë përdorur mjete paqesore dhe ligjore për të sfiduar shpalljen e pavarësisë dhe tani ka një vendim të qartë dhe ky mund të jetë një moment përcaktues për Serbinë. Në njërën anë ne e kuptojmë se ata thonë që asnjëherë s’do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe kjo është e drejtë e tyre, por në anën tjetër ata kanë nevojë të jashtëzakonshme të ecin përpara në reformat e brendshme dhe, gjithashtu, edhe drejt integrimeve evropiane. Kjo kërkon që ata të marrin një qëndrim të qartë për Kosovën duke thënë se nuk e pranojnë Kosovën por nuk do të pengojnë integrimin rajonal dhe atë evropian të Kosovës. Me këto sinjale nga Serbia, nëse i marrim ato, meqë nuk e di nëse Serbia është e pjekur sa duhet të marrë një qëndrim të tillë, kjo do të jetë vendimtare, nëse jo për të pesë vendet anëtare të BE-së, të paktën për disa prej tyre. Nëse disa nga pesë vendet anëtare lëvizin, atëherë mund të shpresohet se të gjitha do të ecin përpara. Por, mendoj se kjo kërkon një lloj lëvizjeje nga ana e Serbisë.

BBC: Beogradi po kërkon një rezolutë të re në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me kërkesën për të rinegociuar të gjitha gjërat, përfshirë edhe statusin.

Z. Jessen-Petersen: Po, por kjo është absolutisht e pakuptimtë. Unë shpresoj se disa nga miqtë e Beogradit, meqë ai ka miq në Evropë, dhe, gjithashtu, shpresoj se edhe amerikanët dhe të tjerët, do t’i sugjerojnë Serbisë se ky është çasti tani për të ecur përpara. Vazhdimi i zgjatjes së kësaj çështjeje dhe marrja me të në mënyrën se si është bërë, është jo vetëm keq për Serbinë por edhe për gjithë rajonin. Siç e kam thënë shumë herë, Serbia po e mban gjithë rajonin peng për shkak të kësaj çështjeje. Është e vështirë për gjithë rajonin që të ecë përpara në zhvillimin ekonomik, në punësim dhe integrim evropian gjithnjë, përderisa serbët vazhdojnë të shikojnë kah e kaluara në vend që të shikojnë përpara.

BBC: Por, a mund të shohim së bashku me këtë thirrje për negociata me Kosovën edhe një lëvizje të Serbisë drejt propozimeve për ndarje të Kosovës?

Z. Jessen-Petersen: Unë shpresoj dhe besoj fuqishëm se e kam mirë, se të gjitha ato vende duke filluar me Grupin e Kontaktit, SHBA-në, vendet evropiane dhe të tjerat që çdo herë kanë qenë të qarta se nuk mundet dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës, do të këmbëngulin në këtë. Mendoj se me këtë vendim unë nuk shoh asnjë arsye që të heqin dorë nga ky parim shumë i rëndësishëm. Gjithashtu, shumë nga ne do të ishim shumë të shqetësuar nëse cilido shtet evropian ose SHBA-ja ose dikush tjetër do të diskutonin këtë ide. Unë thjesht nuk mund të besoj.

BBC: Zoti Jessen-Petersen, autoritetet në Prishtinë thonë se me këtë vendim të GJND-së do të përshpejtohet procesi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. E besoni se ky vendimi i jep fund mbikëqyrjes?

Z. Jessen-Petersen: Jo. Sepse kjo ishte ajo që mendova kur thashë se nuk janë më faktorët e jashtëm, sikur është qëndrimi i Serbisë ose i të tjerëve që e pengojnë përparimin e Kosovës. Kur them përparim kjo nënkupton promovimin e njohjeve të tjera dhe, gjithashtu, promovimin e investimeve të huaja private. Tani janë faktorët e brendshëm. Kosova tani nuk mund të shtiret dhe të thotë se jemi mirë dhe se gjykata ka vendosur në favorin tonë. Tani ata duhet t’i tregojnë vërtetë botës se Kosova i meriton njohjet e reja dhe ajo i meriton investimet e huaja. Dhe sërish vijmë tek çështja se Kosova duhet të merret në një mënyrë përcaktuese dhe vendimtare me problemin e imazhit të saj. Mendoj se nuk i ndihmon shanset e investimeve të huaja kur shihet arrestimi i guvernatorit të Bankës Qendrore. Mendoj se kjo është e mirë që po ndodh dhe se autoritetet ligjore po ndërmarrin veprime, por ka një problem serioz të imazhit. Tani mendoj se me vendimin në favour të Kosovës, i takon pikërisht asaj të lëvizë në mënyrë vendimtare rreth këtyre çështjeve dhe vetëm atëherë unë mendoj se mund të shpresohet për një rritje të rëndësishme të numrit të njohjeve dhe të ivenstimeve të huaja. Dhe pastaj, eventualisht, duke treguar pjekuri çështja e pavarësisë së mbikëqyrur do të dalë në pah. Por, tani është çështje e Kosovës dhe ajo nuk mund të fshihet më prapa faktorëve të jashtëm.

Drashkoviç: Pas GJND-së, Kosova në OKB

Lideri i Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se Kosova, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, pasi, sipas tij, shumica e shteteve do ta pranojnë realitetin dhe mendimin e GJND-së. Më tutje, ai u angazhua që Serbia duhet ta respektojë mendimin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të cilin e ka kërkuar vetë Beogradi, dhe duhet ta ndryshojë strategjinë shtetërore për Kosovën, duke iu përshtatur qëllimeve reale.
Në këtë kuadër, zoti Drashkoviç theksoi se Serbia me Bashkimin Evropian duhet t'i kërkojë zgjidhjet më të mira për popullin serb dhe kishat në Kosovë dhe, së bashku me BE-në, ta shkruajë një rezolutë, e cila do t’i paraqitej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Nuk jemi të detyruar ta pranojmë Kosovën, ashtu sikur që Kina nuk e njeh Tajvanin, por duhet të bashkëpunojmë”, i tha Drashkoviç gazetës beogradase Pres.
Sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet në dialog me BE-në, me bashkësinë e gjerë ndërkombëtare dhe me autoritetet në Prishtinë.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›