SHBA emrat e zevendesuesve

Duke vizituar të paktën 111 vende dhe duke udhëtuar rreth 1.5 milion kilometra, Hillari Clinton jorastësisht ka marrë epitetin e sekretares së palodhur. Prandaj, edhe Obama nuk është i gatshëm të lejojë largimin e saj. Presidenti ka thënë publikisht se do të përpiqet të bindë Clintonin për të qëndruar, sidomos për të udhëhequr politikën e Amerikës në Pranverën Arabe dhe në Siri. Por, duke folur para gazetarëve pas rizgjedhjes së Obamës më 6 nëntor, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se planet e Clintonit nuk kanë ndryshuar. Çelësi për një sekretar të mirë të shtetit është marrëdhënia e tij me presidentin, thotë ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Laërence Haas, aktualisht analist në Këshillin Amerikan për Politikë të Jashtme. Disa emra janë përmendur si pasardhës të mundshëm. Njëri nga ta është John Kerry, kryesues i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai është vlerësuar për kontaktet e tij të gjera ndërkombëtare dhe ekspertizën në çështjet e politikës së jashtme, duke filluar nga Lindja e Mesme deri në Kinë dhe Rusi. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara kërkon që emërimet e kabinetit të miratohen nga Senati, gjë që nuk duhet të paraqesë problem për Kerryn, i cili ka shërbyer në këtë dhomë qe në vitin 1985. Por, kjo forcë është edhe dobësia e tij. Marrë parasysh se Partia Republikane kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve dhe Demokratët e Obamës kanë një shumicë të dobët në Senat, presidenti do të mendojë dy herë për emërimin e një senatori në kabinet, për shkak të rrezikut se një republikan mund të fitojë vendin e tij në Senat. Në mesin e emrave të lakueshëm është edhe ai i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Susan Rice. Ajo është afro-amerikania e parë që shërben në këtë post, të cilin Obama e ka ngritur në status të nivelit të kabinetit. Megjithatë, Rice është kritikuar ashpër për komentet që ka bërë pas sulmit të 11 shtatorit në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Bengazi, ku kanë humbur jetën katër diplomatë amerikanë, përfshirë ambasadorin. Konservatorët e SHBA-së kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj, duke e akuzuar për mashtrim të publikut në lidhje me natyrën e sulmit. Nëse Obama emëron atë, ajo do të përballet me pyetje të vështira gjatë seancave të konfirmimit në Senat. Këshilltari për siguri kombëtare i Obamës, Thomas Donilon, është përmendur po ashtu shpesh si pasardhës i mundshëm i Clintonit. Ai ka shërbyer si sekretar i shefit të personelit në administratën e presidentit Bill Clinton, duke luajtur rol të rëndësishëm në negocimin e marrëveshjes që i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, si dhe në zgjerimin e NATO-s në fund të viteve 1990 dhe në fillim të atyre 2000.