E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Cungu: Bëj gjithçka për ta larguar djalin nga krimi

Babai i Markeljanit flet për vështirësitë që ka hasur në edukimin e të birit, edhe pse ndihet i vetëm në këtë betejë

Edhe pse larg, shtëpinë e Petrit Cungut, babait të Markeljanit, e gjen me të pyetur. Vogëlushin kleptoman, që në atë lagje e thërrasin Jani, e njohin thuajse të gjithë bashkëmoshatarët. Të rriturit e kanë më kollaj të përmendin emrin e kryefamiljarit. Për të shkuar në banesën e familjes Cungu, hyn në rrugën “Selaudin Zorba”, që ndodhet në krahun e majtë, mbi kryqëzimin e Farmacisë Nr.10. Në fund të kësaj rruge do të të duhet të hysh në disa kthesa, të kalosh fushën e druve, e më tej edhe disa vinça të mëdhenj, që duket sikur kanë mbetur nga e kaluara e largët, dhe më pas të marrësh një rrugicë që të shpie drejt lumit. Thuajse je në Babrru, kur mbërrin te shtëpia ku jeton familja e Petrit Cungut. Përpara ke një ndërtesë të papërfunduar, që ka një rrethim modest me blloqe betoni dhe mbi të një rrjetë teli. Duhet trokitur fort në portën e madhe ngjyrë kafe, që të zotët e asaj shtëpie të dëgjojnë. Derën e hapi një grua, rreth të tridhjetave, ndërsa ndeshëm me vështrimin kurioz të një fëmije jo më shumë se 7-8 vjeç. I zoti i shtëpisë ishte duke punuar në oborr, dhe që atje na ftoi të hynim brenda. Preferuam të qëndronim në hijen që krijonte streha e ballkonit para hyrjes së banesës ku jetonin Petrit, Luiza, Markeljan dhe Kevin Cungu. Hapësira e banimit nuk ishte më shumë se 90 metra katrorë. Pjesa më e madhe e oborrit ishte e betonuar, ndërsa në krah shfaqej një kopsht familjar i mirësistemuar. “Isha duke hequr barërat e këqija”, tha Petriti menjëherë pas përshëndetjeve të shkëmbyera aty për aty. Asnjëherë nuk e kisha menduar se burrë e grua do të ishin aq të rinj, Petriti 37 vjeç, ndërsa Luiza rreth të 28-ve. Familja ka ardhur në Tiranë nga Kaçinari i Mirditës, në prill të vitit 1997.

Si të merr jeta

Petriti nuk e beson, por është fakt që i biri, Markeljani, nuk ka mbaruar as edhe një klasë shkollë, kur vetë ai ka përfunduar Pedagogjiken në Peshkopi dhe më pas me korrespodencë tre vjet në Universitetin e Shkodrës. Ka punuar madje edhe si mësues i Biokimisë në shkollën e fshatit Kaçinar. është martuar me Luizën kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe dhe një vit më pas kanë sjellë në jetë Markeljanin. “Im bir lindi më 10 mars të vitit 1997. U gëzuam shumë se e kishim fëmijën e parë. Një muaj më pas, për një jetë më të mirë, u shpërngulëm nga fshati dhe erdhëm në Tiranë”. Fillimisht kanë ndenjur me qira në Allias. Petriti ka punuar në një lokal, pronë e disa njerëzve të tij, si menaxher. Për të siguruar jetesën e familjes ka marrë edhe objekte me qira, që i ka shfrytëzuar si fast-food. E shoqja ka punuar në një fabrikë këpucësh. Ndërsa bisedojmë për t’u njohur më mirë, Petriti herë pas here kthehet te problemi që i dhemb më shumë, te Markeljani, për të cilin thotë se është shumë i zgjuar, por e ka përdorur për së prapthi dhuntinë e tij. “Ditën e parë të shkollës, në klasë të parë, e kam çuar me kostum dhe kollare, por më erdhi në shtëpi me rroba sportive. U detyrova t’i them rojës së shkollës që të mos e linte të dilte derisa të vija unë e ta merrja, por ai u dorëzua, sepse Markeljani i dilte nga dritarja e banjës. Pra nuk e mbante dot. Kështu mori të tatëpjetën. Ne ishim në punë dhe nuk e kontrollonim dot, pra nuk dinim çfarë bënte pasi ikte nga shkolla, deri sa u bë problem dhe e braktisi fare atë. Këtu fillon edhe tatëpjeta e tij”, shprehet Petriti.

Kleptomania

Sipas Petritit, Markeljani është i “të gjithave”. Ai mendon se në të shumtën e rasteve i biri është përdorur nga më të rriturit. “Im bir nuk mendon fare për gjë. Ai është tip i vështirë. Nuk zbërthehet. Ai ikën gjithnjë nga shtëpia dhe nuk vjen, ndaj e kërkoj nëpër shokë. Kur e gjej, e marr në shtëpi. Ka raste kur nuk e gjej dhe nuk më zë gjumi gjithë natën. E di se bën prapësi. Markeljanit i pëlqen vetja. Ai shkon e vjedh dhe shkruan emrin e tij atje. Pra është krejt i papërgjegjshëm. Ne i mësojmë nga media vjedhjet apo prapësinat e tij. Nuk mund ta imagjinoni se sa herë më thërret policia për tim bir. Markeljani nuk tregon asnjëherë se me kë ka qenë për të vjedhur, por i mban të gjitha vetë përsipër. Janë të panumërta rastet kur ai ka firmosur edhe për gjërat që nuk i ka bërë. Nuk e di që do t’i vuajë një ditë një më një ato që ka kryer. Policia i ka plotësuar letrat dhe pret që ai të mbushë 14 vjeç, më 10 mars 2011, dhe do ta shpien në burg. Markeljanit i pëlqen të dalë në gazeta. është aventurier. Nuk e ka problem fare të bëjë si i thotë mendja. Lekët dhe sendet e vjedhura nuk i sjell kurrë në shtëpi, se e di që do t’i çojë në polici. Shihe se ku arrin papërgjegjshmëria e tij, i vjen më shumë turp kur i dorëzon gjërat, se kur i vjedh. Njerëzit që janë dëmtuar prej tij më vijnë në shtëpi dhe mi kërkojnë mua gjërat. Më nxiu jetën. Jam bërë gjysmë njeriu prej tij. është aq i prapë, sa kur një rom i kishte zgjatur dorën për të kërkuar lekë, kishte nxjerrë thikën dhe ia kishte ngulur. Sa herë e mbaj mbyllur, por përsëri më ikën. I ka ikur edhe policisë. Zhduket dhe e gjej më pas duke pyetur shokët. çfarë nuk bëjnë. Ata shkojnë në hotele, lokale, deri edhe te ruleta kanë shkuar. Madje, për pesë orë është në Athinë. çuditem kur më telefonon nga atje”, thotë Petriti, i cili nuk di ç’të tregojë më parë. Për Markeljanin mund të na flasë me orë të tëra, dhe e bën këtë thjesht sepse ka nevojë të flasë me dikë. “Dua të më dëgjojë dikush. Më kanë sëmurur gabimet e rënda të Markeljanit. Nuk mundem i vetëm ta sjell atë në rrugë të mbarë. Unë kam përgjegjësitë e mia, por jo vetëm unë. Ku janë shteti dhe shoqëria? Gjithmonë mendoj se do të ishte gjë e mirë sikur policia ta mbante në vëzhgim me dy agjentë. Besoj se edhe një shkollë riedukimi për të tillë fëmijë do të ishte me shumë vlera. Nuk është vetëm Markeljani, por ka edhe shumë të tjerë si ai. E them këtë se ai nuk vepron vetëm, por me shokë, të cilët policia i di. Dy ditë po ika unë nga shtëpia, këtu ia behin shokët e tij. Nuk pyet fare për të ëmën, madje e shan dhe ofendon atë pa as më të voglin problem. Dua të flas për të kërkuar një zgjidhje, po ku ta kërkoj. Do bëja gjithçka për ta sjellë në rrugë të drejtë. Kam kërkuar nga policia ta mbajnë të izoluar. Firmos unë për këtë”, përfundon Petrit Cungu, babai i Markeljanit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›