Tri javë pas zhdukjes së Bleonës, asnjë i dyshuar
Familja e Bleonës 6-vjeçare, e zhdukur që prej 3 javësh, shpreson ende që vogëlushja të kthehet në shtëpi. Nëna e saj, Bukuria, sheh çdo ditë albumin modest me foto të së bijës dhe teshat në shtratin e mbetur bosh prej 22 majit, ndërsa lutet për kthimin e saj në gjirin e familjes. Ajo kujton edhe momentet kur e pa për herë të fundit vajzën e vogël. Bleona, së bashku me 5 vajza të rritura, ndër të cilat halla, Alketa 23 vjeçe, ishin nisur në mal me bagëti. Ndërsa babai i vajzës, Zamiri, ka ndjekur nga afër kërkimet e të bijës dhe ka marrë pjesë në dhjetëra udhëtime në bjeshkë e në terrene tepër të vështira, edhe pse shpreson se vajza mund të jetë gjallë dhe se kemi të bëjmë me rrëmbim dhe jo me humbje apo sulm egërsirash. Në pistën e rrëmbimit ai nuk ka ndonjë ide se kush mund ta ketë bërë këtë krim, pasi ai përjashton një hakmarrje të mundshme ndaj tij. “Nuk kam hasmëri me askënd dhe as borxh”, thotë. Por Zamiri dyshon te vajzat që kanë shoqëruar të bijën të shtunën e 22 majit. “Nuk ka mundësi që asnjë nga vajzat të mos e kenë dëgjuar apo ta kenë humbur nga sytë që të pesta sa ishin. Ato më fshehin diçka”, thotë Zamiri. Ndërkohë, veç policisë së Kukësit, në kërkimin e vajzës së humbur është përfshirë edhe policia e Kosovës duke vënë në veprim jo vetëm efektivë të policisë së kufirit, por edhe të policisë së rendit me mjete të sofistikuara dhe me qen kufiri. Shefi i policisë së rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, në takimin me drejtorin e policisë së Qarkut të Kukësit para dy ditësh ka thënë se “ne do të vazhdojmë operacionet e përbashkëta me policinë e Kukësit dhe do të shkëmbejmë informacione në çdo kohë për të gjetur Bleonën e humbur”. Krasniqi ka shtuar se përveç kërkimit në rajonin e kufirit në bjeshkë do të kërkohet edhe në qendrat e banuara, ku dyshohet se mund të mbahet e fshehur vajza e vogël nga Zapodi. Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, thekson se operacionet e kërkimit të Bleonës do të vazhdojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, si dhe në vende të tjera ku tashmë fotografia e Bleonës së humbur është shpërndarë nga Interpoli.
#