Arrest shtëpie për arkëtaren e akuzuar për vjedhje banke
Një grup i auditit të brendshëm ka zbarkuar mëngjesin e së martës në filialin e bankës private ku punonte arkëtarja Ornela Tabaku, e ndaluar nga policia për vjedhje. Mësohet se në përfundim të kontrollit do të përpilohet një raport përfundimtar, që pritet t’i delegohet dhe prokurorisë që do ta bashkëngjisë në dosjen hetimore “Transferta e fundit”.
Ndërkohë, gjykata ka vendosur masën arrest në shtëpi për arkëtaren e filialit të bankës private të arrestuar katër ditë më parë për “vjedhje me shpërdorim detyre”. Shkak për këtë masë lehtësuese është fakti se 25-vjeçarja është shtatzënë dhe ka një djalë 2 vjeç e gjysmë. Seanca e masës së arrestit të Ornela Tabakut, 25 vjeçe, me profesion ekonomiste, u zhvillua paraditen e së mërkurës dhe kanë qenë të pranishëm familjarët e saj. Kjo masë lehtësuese e hetimit pritej që me publikimin e gjendjes së 25-vjeçares. Mësohet se ajo ka mohuar akuzën. Të gjitha lëvizjet e kapura prej prokurorisë dhe grupit hetimor, janë shpjeguar prej saj si gabime në veprime, apo gabime njerëzore.
25-vjeçarja Ornela Tabaku, banuese në Lushnjë, akuzohet për dy vepra penale: “Vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”.
Ai që ka pikasur lëvizjet e dyshimta të vjedhjes nëpërmjet transfertave ka qenë drejtori i degës së bankës, eprori i saj Myftar Sharka. Ky i fundit ka kryer dhe kallëzimin në polici për këtë vepër penale fillimisht të dyshuar, por më pas me ndihmën e policisë dhe Prokurorisë së Lushnjës, u bë ndalimi i arkëtares.
25-vjeçarja Ornela Tabaku u arrestua paraditen e së shtunës dhe dyshohet e ka përfituar një shumë prej 12.555.700 lekësh.
#