E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gulit shkatërron shqiptarët e drogës

Itali Policia italiane zbulon edhe grupin e të ashtuquajturve “hajdutët akrobatë”

Shtatë persona janë arrestuar mëngjesin e djeshëm në Itali, si anëtarë të një organizate të drejtuar nga shqiptarë, që trafikonte drogë në vendin fqinj. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, autoritetet italiane arritën gjatë natës të shkatërrojnë organizatën e trafikantëve, pas disa muajsh hetime që u finalizuan me operacionin “Gulit”. Në fakt, hetimet kishin nisur nga forcat e rendit të provincës së Viterbos në vitin 2008, mbi disa shqiptarë, që nxitën prokurorinë italiane t’u bashkohet forcave të rendit për të vërtetuar aktivitetin kriminal. Për pasojë doli në pah se të gjithë personat e përfshirë bëjnë pjesë në një organizatë të vetme, të drejtuar po nga shqiptarë, e cila kryente trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në të njëjtën periudhë, Drejtoria Antimafia e Romës zbuloi se ngarkesa të mëdha me kokainë në kryeqytet drejtoheshin nga shqiptarë, edhe pse këta të fundit rezultonin pa dokumentacion dhe të papunë. Në muajt në vijim u arrestuan në flagrancë shtatë shpërndarës droge, që rezultoi se kishin lidhje me rrjetin e trafikantëve dhe u sekuestruan sasi të mëdha kokaine, që vinin nga Shqipëria, Belgjika e Spanja, të destinuara në furnizimin e tregut të Romës dhe provincës së Viterbos. Ndërkohë, dje, 11 shqiptarë dhe 4 rumunë kanë rënë në prangat e karabinierëve të Romës, pasi akuzohen për vjedhjen e vilave dhe apartamenteve në kryeqytetin italian, si dhe në disa lokalitete të tjera. Të ashtuquajturit hajdutë akrobatë kishin shkaktuar frikë në zonat në veri të Romës, ku vitin e kaluar u plaçkitën shtëpitë e disa personazheve VIP, mes të cilëve edhe e ish-drejtorit të lajmeve në një prej kanaleve të “Mediaset”-it. Hajdutët hynin nëpër apartamente nga ballkoni dhe tarraca, dhe për këtë arsye kishin marrë nofkën “hajdutët akrobatë”. Hetimet u përshpejtuan në gushtin e kaluar, kur një shqiptar vdiq, pasi ra nga një pallat, në të cilin po kacavirrej.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›