E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza mollë sherri tregon vrasjen e Mamurrasit

Eni Allamani u rrëmbye dhe u dhunua nga Arsid Rama, i cili u vra më pas nga i fejuari i saj

Zbardhen detajet e arrestimit të autorëve të vrasjes së dy të rinjve të ndodhur në Mamurras mbrëmjen vonë të së dielës. Burime të sigurta të informacionit bëjnë të ditur se Arsid Rama kishte pasur njohje me Eni Allamanin, e cila është e fejuara e 23-vjeçarit Diamantin Preçi. Sipas dëshmisë së Eni Allamanit, Arsidi kishte kohë që e ngacmonte dhe një javë më parë ka mundur ta fuste me dhunë në makinën e tij, duke e larguar nga qyteti dhe izoluar për dy ditë. Ai e kishte dhunuar dhe tentuar ta përdhunonte. Kur është liruar, Allamani i ka treguar të fejuarit të saj, Diamantin Preçi, të gjithë historinë. Kjo nuk është kapërdirë nga ana e 23-vjeçarit, i cili ka vendosur të hakmerrej ndaj Arsid Ramës. Bashkë me të vëllain dhe Eni Allamanin, Diamanti është vënë në kërkim të Arsid Ramës. Ata kanë mundur ta gjejnë shumë shpejt vendndodhjen e tij dhe Bert Seitit, të cilët po lëviznin nga Laçi për në Mamurras. Sapo i kanë pikasur në rrugë, u kanë kërkuar të ndalojnë automjetin. Preçi ka zënë pozicion në afërsi të murit të një avlli në anë të rrugës dhe ka nisur të qëllojë me breshëri, duke shkaktuar vdekjen e dy të rinjve. Pas krimit, të tre të rinjtë janë larguar në drejtim të Krujës. Më pas tre të rinjtë kanë braktisur autoveturën dhe janë nisur në këmbë nëpër male, nga Borizana e Krujës drejt Lezhës. Por shumë shpejt është bërë i mundur lokalizimi i tre të rinjve. Pas më shumë se pesë orë negociatash, tre të arrestuarit janë dorëzuar. “Unë doja të vrisja Arsidin, sepse ai kishte tentuar t’i merrte nderin të fejuarës time, në një kohë që e dinte se ishte e fejuar. Do e kisha falur nëse ai do e ngacmonte dhe nuk do e rrëmbente me dhunë. Edhe ata qëlluan ndaj nesh. Enin e mora me vete, pasi edhe ajo donte të hakmerrej ndaj Ramës”, mësohet të ketë thënë Diamantini.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›