E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënim me kusht, ish-drejtori i Ndërmarrjes Pyjore

Berat

Ish-drejtori i Ndërmarrjes Pyjore në qytetin e Beratit, Sabri Zyka, nuk do të mund të punojë si drejtues në institucionet e shtetit për dy vjet. Ai është dënuar nga gjykata e shkallës së parë të rrethit Berat me “kusht”, dënim i cili i heq të drejtën për t’u punësuar në institucionet shtetërore si drejtues. Burime pranë organit të gjykatës në rrethin e Beratit bëjnë me dije se dje ka përfunduar gjykimi ndaj ish-drejtorit Zyka, i cili u gjykua në gjendje të lirë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ka qenë kryetari i trupit gjykues, Agron Vavla, i cili ka thënë fjalën e fundit në ngarkim të procesit gjyqësor ndaj ish-drejtorit Zyka. Vavla, pasi ka shqyrtuar provat e paraqitura nga prokuroria e rrethit dhe pala mbrojtëse, e ka dënuar Zykën me “kusht”, që për dy vjet nuk mund të drejtojë asnjë institucion apo drejtori shtetërore, si dhe një gjobë prej tre milionë lekësh të vjetra. Prokurori i çështjes në pretencë kishte kërkuar dënimin me një vjet heqje lirie ndaj Zykës dhe tre milionë lekë të vjetra, dënim i cili është reduktuar në dënim me kusht. Zyka u akuzua nga organi i akuzës për shpërdorim detyre, pasi nga puna e ekspertëve të pyjores nuk ndoqi në rrugë ligjore prerjet e pyjeve në këtë rreth, ndonëse për rastet në fjalë ishin mbajtur praktika pune.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›