Petrit Malaj, shkëlqimi ne kinema, peng teatri
çfarë të bëjmë shumë. Dua ta theksoj këtu se formimi i përgjithshëm i studentëve që na vijnë në Akademi lë shumë për të dëshiruar dhe na ngelet si detyrë që t’u japim një bazë disavjeçare, të cilën ata duhet ta kishin marrë që në gjimnaz. Kohët e fundit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, mund t’ju them që më në fund do të futet në gjimnaze një lëndë e posaçme për edukimin teatror. Nuk mund ta kuptoj se si një gjimnazist në Tiranë nuk ka shkelur asnjëherë në teatër dhe pastaj vjen në Akademi dhe kërkon të bëhet aktor e regjisor! Por ka edhe të rinj të tjerë që kanë ekzigjenca në formimin e tyre.
Zakonisht shqiptarët e kanë për zakon të shajnë shumë. Si ka mundësi që në teatër kritikët ngurrojnë dhe veç thurin lavde nëpër ato mendime të pakta që shohim të japin?
Kjo ndodh si rezultat i mungesës së personalitetit të kritikës. Pasojat bien jo vetëm mbi artistët, por edhe mbi publikun. Artisti vetë mund të shkruajë, por nuk përfaqëson një kritik të mirëfilltë. Gjatë viteve të mandatit tim në Akademinë e Arteve do të përpiqem që në të gjitha fushat ku ne edukojmë, problemet e artit në Shqipëri e më gjerë t’i trajtojmë me figura, të cilat përmbajnë në vetvete elemente të fuqishme të kritikës së artit në vetvete. Së shpejti do të sjellim një personalitet nga Gjermania për të zhvilluar një debat mbi kritikën e arteve pamore.
Shpesh nga artistët e brezit tuaj dëgjojmë të thuhet se të rinjve të sotshëm u mungon pasioni...
Qëkur zgjohesh në mëngjes duhet punë, punë dhe vetëm punë, jashtë mase punë... Karta e Bolonjës presupozon që rreth 50 për qind e punës së studentit duhet të jetë e pavarur. Mbase mund të jetë e vërtetë që të rinjtë sot nuk kanë pasionin tonë të dikurshëm, megjithëse kjo nuk vlen për të gjithë. Por mungesa e vullnetit te një person ndikon dhe te të tjerët, pasi arti është kolektiv. Nuk bëhet fjalë këtu për një instrument që punon vetëm, por për një teatër, një shfaqje ansambël që kërkon patjetër një disiplinim artistik të jashtëzakonshëm. Në Akademi kemi tendencën për ta bërë studentin që të ndihet mirë dhe të gëzojë gjithë lirinë e nevojshme, për t’i krijuar atë hapësirë për të cilën ai ka nevojë. Por nuk mjafton vetëm përkushtimi i pedagogëve dhe të qenit profesionistë, duhen edhe kushtet. Ka 60 vite që këtu nuk bëhet asgjë në këtë drejtim dhe për këtë nuk dua t’ia vë fajin askujt. Duhet kuptuar se ky institucion, me fasadë të shkëlqyer nga jashtë, ka probleme të shumta nga brenda. Të gjithë pushtetarët, sa herë që vijnë këtu, e kuptojnë këtë gjë, por prapë për Akademinë e Arteve është bërë shumë pak. Jo të gjithë bëhen AS-a, por kjo shkollë ka nxjerrë artistë të talentuar që e kanë nderuar Shqipërinë kudo në botë. Preka zërin e investimeve sepse është thembra e Akilit, që këtu të shohim shpërthime nga studentët.
Sipas këndvështrimit tuaj, a kanë ecur mirë kinemaja dhe teatri shqiptar pas viteve ’90?
Në kinema kemi pasur realizime të pakta, por shumë të mira. Mendoj se nuk duhet të nisemi nga sasia. Problemi i filmit në Shqipëri janë kinematë dhe mungesa e tyre. Strukturat shtetërore apo të tjerë faktorë kanë bërë që në teatër dhe në kinema të largohet spektatori. Ne kemi bërë disa herë kërkesë në strukturat përkatëse, pasi kemi një institucion me mundësi shumë të mëdha për realizimin e projekteve artistike. Me shkresa të posaçme kam kërkuar që ashtu siç mbështetet një teatër në rrethe, të mbështetet për projekte artistike edhe Akademia e Arteve. Kostoja e një projekti për Akademinë është shumë e ulët dhe ne këto fonde do t’i përdorim kryesisht për shërbimet e ndryshme që kërkon një shfaqje për t’u vënë në skenë. Nuk e kuptoj pse ka një heshtje në këtë drejtim. Salla e Akademisë është më e kërkuara në Tiranë. Këtu ndodhin aktivitete dhe festivale të ndryshme me studentët, artistët tanë dhe të huaj. Megjithatë, problemi qëndron se studentët duhet të jenë të preokupuar për ta menaxhuar mirë veten e tyre. Shkolla shërben si pedanë, të jep mundësinë që më pas artisti duhet ta shfrytëzojë. Një fenomen pozitiv vitet e fundit është se publiku po i kthehet skenës dhe ju siguroj, salla e Akademisë të Arteve thuajse në çdo aktivitet është e mbushur plot.
Çfarë do të kujtonit nga filmi “Balada e Kurbinit”?
Darti është një personazh mjaft i dashur për mua. Madje aq i dashur, sa djalit i vura emrin e tij. Ai është një djalë që kthehet nga nizami pas 9 vitesh. Quhej i humbur, por zakonet shqiptare e kishin martuar dhe nusja ishte në shtëpi, paçka se djali mund të mos kthehej kurrë. Darti kthehet dhe merr vesh se pjesa më e madhe e njerëzve të tij kishin vdekur nga luftërat që zhvilloheshin në vendin e tij. Mendoj se është një rol sa heroik në dukje, aq dhe njerëzor, pasi ka të bëjë me një problem shumë të ndjeshëm që nuk ia uroj askujt. Dartin e kanë sterilizuar kur ishte ushtar dhe nuk bën dot fëmijë. Në jetën e një mashkulli kjo është një dramë shumë e madhe. Kështu personazhi shtyhet të shkojë e të vdesë në një betejë...
Lidhja juaj me fëmijët?
Kam dy djem, Erionin, Dartin dhe gruan, Anetën. Djali i madh, Erioni, studion për jurisprudencë në Itali dhe vitin e dytë arriti të marrë një bursë. Bashkë me gruan jemi shumë të kënaqur për të. Kënaqësia në dukje është një fjalë, por ne e ndiejmë mungesën e djalit të madh dhe në anën tjetër mezi presim Dartin e vogël të kthehet në shtëpi nga shkolla.
Ju ka munguar një vajzë?
Fëmijën e dytë e donim vajzë, por dhe kështu jemi shumë të kënaqur.
Në vitin ’85, nëse nuk gaboj, ju keni zyrtarizuar lidhjen me bashkëshorten.
Po. Në atë vit ne u fejuam. Ajo ishte studente këtu në Akademi, por e kisha njohur rastësisht më parë në Vlorë. Më pas, në ’87-n, u martuam. Isha 27 vjeç dhe ndokush mund të thotë se u martova shpejt, por unë them që u martova në kohë.
Si e njohët gruan tuaj të ardhshme?
U njoha nëpërmjet një vajzës së dajës tim, e cila ishte në klasë me Netën. Në një mënyrë fare rastësore po shkoja të merrja vajzën e dajës, që ishte në mbrëmjen e maturës, por nuk na lanë më të iknim. Aty pata rastin të njihesha me një grup të caktuar njerëzish dhe u njoha edhe me Netën, madje rastësisht kërcyem bashkë.
Kur i propozuat Netës?
Në Akademi. Njohja e parë ka qenë një njohje tek e cila as unë, as ajo nuk dilnim dot jashtë vetes. Më pas, si rezultat i një dashurie që kishte lindur, vendosëm se nuk kishte arsye pse lidhja jonë të mos dilte në sipërfaqe. Atë kohë unë isha në vitin e katërt, ndërsa Neta në të dytin. Në fakt, shkëndija lindi në Vlorë, por momenti për ta bërë propozimin erdhi vetëm këtu.
Keni pasur pengesa në lidhjen tuaj?
Nuk kemi pasur asnjë pengesë. Fillimisht prindërit pyetën për t’u njohur me familjet dhe kaq. Për këtë u jemi mirënjohës të dyja palëve, që vetëm na përkrahën dhe na shtynë përpara.
Çfarë mund të na tregoni për fëmijërinë tuaj?
Jam lindur në Orikum të Vlorës. Jam rritur aty pasi babai im ka qenë mjek me nëndetëset qëkur ishin rusët në Shqipëri. Deri në moshën 9-vjeçare kam qenë në lagjen “Muradije” dhe kam bërë klasën e parë dhe të dytë te shkolla “Ismail Qemali”. Më pas kam ardhur në Tiranë dhe si qëndruam një vit u nisëm drejt Tropojës, në Bajram Curri. Aty jetuam rreth 10 vjet dhe mbarova gjimnazin. Kam kujtime të mira, por dhe një të dhimbshëm; humba një vëlla.
Si ndodhi?
Ndodhi në mënyrë të çuditshme. Në Bajram Curri, ardhja e një biçiklete në atë kohë ishte gjë e madhe. Isha 16 vjeç, kurse vëllai 15. Bënim xhiro te Pallati i Kulturës. Pasi bëra xhiron time, e mori vëllai biçikletën dhe nuk u kthye më. Ishte një djalë shumë i shkathët, madje i jepte biçikletës më mirë se unë. Ai pati një pushim zemre dhe ra nga biçikleta. Është pikërisht ky vëlla që më mban në një lidhje shumë të ngushtë me Tropojën.
Para pak ditësh ju ndodhi një tjetër fatkeqësi... Si e përjetuat humbjen e gjyshit?
Me dhimbje. Jam krenar për gjyshin tim, për atë që ka bërë për fëmijët e tij, për babin tim, mbi të gjitha, për dashurinë që ka pasur për ne, nipat e tij. Jam krenar dhe për çfarë kam dëgjuar nga njerëzit rreth tij. Në fakt, kam mbetur i çuditur për respektin e jashtëzakonshëm që njerëzit kanë pasur për të.
Po me babanë ç’lidhje keni?
Më ka trajtuar si shok dhe e trajtoj si shok. Nuk ka qenë një baba i diktatit. Flas me të gjithçka hapur, në mënyrë shumë të çiltër dhe të gjitha vendimmarrjet e mia kur kam hedhur hapa të ndryshëm, pa dyshim që i kam bërë bashkë me babanë. Nuk më ka dalë keq që e kam dëgjuar dhe do ta dëgjoj gjithmonë. Kam pasur nevojë veçanërisht për të në momente të vështira dhe më është gjendur pranë.
Si i përjetonit vitet ’90?
Si çdo shqiptar, në pritje që gjërat të ndryshonin për më mirë. Kjo tendencë vihej re sidomos në rrethet e artistëve dhe në Akademi. Megjithatë, shoqëria shqiptare mund të kishte bërë gjëra shumë më të shpejta me ndryshimin e sistemeve. Nuk ka asnjë justifikim për tranzicionin tonë të shtrirë jashtë mase. Shumë gjëra duhet të ishin zgjidhur me kohë, falë vullnetit dhe dëshirës së mirë të atyre që njerëzit u kanë besuar dhe kërkuar këtë gjë. Ndoshta gjërat do të bëhen një ditë, por ne po na ikin vitet dhe do të jetë shumë vonë.
Si do ta përcaktonit vetveten me tri fjali?
Gjithmonë kam menduar se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë gjithçka, në këtë aspekt kam nevojë për njerëz, miq, kolegë e dashamirës. Në anën tjetër, e respektoj shumë korrektësinë dhe mirënjohjen karshi dikujt që ka ndikuar në jetën time. Një tjetër gjë që më karakterizon është që të mos kem në thelb egon për karrierë.
Cila është ëndrra që nuk e realizuat dot kurrë?
Puna e solli që të mos merresha aq sa duhet me rolet në teatër. Kam pasur dëshirë që të isha më i ndjeshëm, më i pranishëm në teatër. Jeta ishte e tillë që më futi më tepër drejt kinemasë dhe filmit, pavarësisht angazhimeve të ndryshme që kam pasur dhe në teatër. Këtë e ndiej që nuk arrita ta çoj deri në fund ashtu siç duhej.
Së fundi, ndonjë film tjetër apo serial televiziv në planet tuaja?
Në ekzigjencat e mia është që t’i shpëtoj zyrës sa të mundem. Patjetër që detyrat e zyrës duhen kryer, por me zanatin që kemi nuk duhet të qëndrojmë larg aktrimit.
9 Maj 2009