Tirana zyrtare fton Beogradin për anëtarësuar në NATO
Tirana zyrtare dje ka bërë një deklaratë duke ftuar Beogradin dhe Prishtinën për tu bërë pjesë e Aleancës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria dje dhanë mesazhe të qarta, për të shtuar numrin e vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut nga 5 në 7. Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, i cili mori pjesë në takimin e radhës së vendeve të A5, në kuadër të NATO-s, deklaroi se shpresohet shumë që Serbia dhe Kosova të marrin së shpejti statusin e vendit vëzhgues në Aleancë.
Në këtë mënyrë, sipas Xhons mbyllet cikli i anëtarësimeve në NATO për sa i përket Europës juglindore. Ndërsa kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur për herë të parë në Tiranë që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbështeti idenë e shtimit të numrit të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut. Berisha tha se ky grupim duhet të ketë jo 5 por tanimë 7 anëtare, e ku duhet të ftohen edhe Kosova dhe Serbia.
Në mbyllje të takimit të djeshëm të Ministrave të Jashtëm të 5 vendeve të Kartës së Adriatikut u miratua edhe një deklaratë. Po ashtu, takimi i djeshëm shënoi edhe mbylljen e periudhës 6-mujore të drejtimit të nismës nga Shqipëria. Bosnja do të drejtojë në pjesën e dytë të vitit këtë grupim vendesh, ku shumica e tyre aspirojnë për anëtarësim në Aleancë. Zanafilla e nismës së Kartës së Adriatikut, nisi me tre shtete; Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, ku dy prej tyre janë pjesë e Aleancës.
9 Maj 2009