Një falenderim për hollandezin Skefer
Albert Gjoka
Në vizitën e lamtumirës, Jap De Hop Skefer ka merituar një falenderim dhe mirënjohje të madhe nga të gjithë shqiptarët. Në ndryshim nga maqedonasit, të cilët nuk arritën të bëheshin pjesë e NATO-s, në Samitin e Strasburg/Këlnit, ne dje patëm arsye ta pohonim një gjë të tillë pasi hymë në gjirin e Aleancës, dhe padyshim, edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Zoti Skefer, ka qenë pjesë e këtij suksesi. Ai u ndodh në krye të finalizimit të rrugës së gjatë që nisi Shqipëria prej vitit 1992, për tu kurorëzuar me shumë stërmundime pas 17 vitesh. Vlerësimet që iu bënë dje nga presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, duke e nderuar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, apo Rektorati i Universitetit të Tiranës, që i dha titullin “Doktor Honoris Causa”, janë pjesë e respektit që Skefer ka fituar ndër shqiptarë. Ai mori drejtimin e Aleancës 5 vjet më parë dhe pritet ta dorëzojë pas pak javësh tek pasardhësi i tij, zoti Rasmunsen.
Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës përkoi me situata të vështira, si menaxhimi i misioneve paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Kosovë, divergjencat e shumta mes anëtarëve të NATO-s, procesi i zgjerimit të saj, dhe së fundi, konflikti në Gjeorgji. Pranimi i anëtarëve të rinj në strukturën euro-atlantike, ka qenë ndër pikat më të nxehta gjatë këtyre viteve. Padyshim, Skefer është treguar i duruar dhe tepër i kujdesshëm që të ruajë ekuilibrat brenda Aleancës, si dhe të tregojë peshën e saj politike dhe ushtarake në sferat globale. Ai shfaqi aftësitë e tij prej politikani dhe ushtaraku, duke u treguar një negociator tejet i shkathët, me natyrë sportive, për të shuar tensionet dhe arritur mirëkuptimin mes palëve, qoftë brenda NATO-s, qoftë edhe në raportet e saj me aktorë të tjerë të politikës globale.
Edhe me Tiranën zyrtare, ai shfaqi të njëjtat vlera dhe aftësi. Mbështetja e vazhdueshme dhe inkurajimi për realizimin e reformave nga institucionet shqiptare bëri që anëtarësimi për ne të ishte një ëndërr e realizuar para kohe. Holandezi Skefer u bë pjesë e shqetësimit tonë të madh, pasi vjen nga një vend i vogël dhe e di se Ballkani është një “fuqi baruti”; e di se ka një varg padrejtësish historike në këtë rajon dhe se siguria mbetet e brishtë në çdo kohë. Në këtë kontekst, vendi ynë, i cili ka qenë vazhdimisht në shënjestër të kërcënimeve dhe shantazheve nga fqinjët dhe shtetet e tjera të mëdha përgjatë gjithë shekujve, tashmë, ka garantuar sigurinë e brendshme të saj dhe është bërë pjesë e Aleancës më të madhe të botës. Anëtarësimi i Shqipërisë mban firmën e zotit Skefer, i cili 5 vjet më parë, erdhi në krye të Aleancës me politikën e dyerve të hapura, duke shpërndarë 7 ftesa, në shtatë vendet ish-komuniste të Europës Lindore. Dhe gjatë këtyre 5 vjetëve ka qenë bashkëudhrrëyesi ynë i mirë, miku i mirë që i hapi derën Shqipërisë për në familjen NATO. Dje, zoti Skefer kremtoi jo vetëm fitoren e qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Ai kremtoi edhe një pjesë të fitores së filozofisë së tij.
Por, dje ka përfunduar misioni i zotit Skefer, dhe ka nisur misioni ynë; pasi që sot, ne duhet të mendojmë dhe punojmë jo vetëm si shqiptarë, por edhe si pjesëtarë të Aleancës. Duhet të luftojmë për vlerat dhe sfidat e saj dhe kjo kërkon përkushtim, aftësi dhe sakrifica. Edhe një herë faleminderit udhërrëfyesi ynë i mirë!.
9 Maj 2009