E Diel, 1 Nëntor 2026

Skefer, pagëzuesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Presidenca dhe Universiteti i Tiranës vlerësojnë kreun e Aleancës. Jap De Hup Skefer kërkon që të vazhdojnë reformat në vend

Në vizitën e tij të lamtumirës në Tiranë, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap e Hup Skefer ka marrë mirënjohjen e të gjitha institucioneve të vendit. Ai është nderuar nga krerët më të lartë të shtetit dhe botës akademike për rolin që ka luajtur në periudhën 5-vjeçare të drejtimit të Aleancës. Presidenti i ka akorduar Urdhrin “Gjergj Kastrioti”, ndërsa Universiteti i Tiranës i dha titullin Doktor “Honoris Causa”. Shefi i Aleancës ka vlerësuar reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare deri në momentin e anëtarësimit, ndërsa ka kërkuar që të vazhdojnë reformat.
Mesazhi
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Skefer e ka konsideruar Shqipërinë, si anëtare të denjë të strukturave euro-atlantike. Në një vizitë lamtumirës që zhvilloi në Tiranë, Skefer u takua me kryeministrin Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp, kryetari i qeverisë shqiptare e ka falenderuar sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës për mbështetjen që i dha Shqipërisë deri në anëtarësimin e plotë të vendit tonë në NATO. Berisha tha se Skefer do të njihet e kujtohet përherë në memorien e shqiptarëve si mik i madh i Shqipërisë”.
Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s e përkufizoi Shqipërinë si një aleate të denjë për NATO-s. Sipas tij, Shqipëria vërtet u anëtarësua pak kohë më parë në NATO si anëtare me të drejta të plota, por ka qenë pjesë e kësaj Aleance më parë se kaq. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka ndodhur më parë. Para anëtarësimit vendi juaj u përfshi në politika të reja të sigurisë ku dha kontribut të rëndësishëm”, tha Skeferi i cili vlerësoi edhe kontributin e NATO-s me anë të KFOR në Kosovë.
Skefer theksoi se anëtarësimi është një rrugë e rëndësishme për stabilizimin e vendit. Ai garantoi kryeministrin Berisha se Shqipëria do të marrë pjesë në diskutimet e NATO-s për çështje strategjike të Aleancës.
Dekorimi
Presidenti Topi nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kreun e Aleancës, Jap de Hup Skefer. Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi urdhrin e lartë z. Shefer me motivacionin: “Personalitetit të shquar, në shenjë mirënjohjeje të thellë të popullit dhe të shtetit shqiptar për kontributin shumë të rëndësishëm në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. “E di që kanë kaluar natyrisht shumë vite pune të vështirë para se t’ju jepnim ftesën zyrtare dhe para se të merrej vendimi politik nga aleatët. Por, tani që çdo gjë është bërë dhe unë shikoj Shqipërinë dhe ushtarët shqiptarë që shërbejnë në Afganistan në kuadrin e NATO-s dhe për këtë jam krenar si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës”, - tha Skefer në momentin e marrjes së urdhrit.
Honoris Causa
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule i dorëzoi dje Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Skefer, titullin “Doktor Honoris Causa”, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar, për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike që mbrojnë vlerat e demokracisë, sigurisë dhe paraqes në botë.” Kreu i Aleancës tha në fjalën e tij se Shqipëria duhet ti kushtojë vëmendje të veçantë zhvillimit të institucioneve edukuese. “Mesazhi im zoti rektor është ky, ju jeni instrumenti më i mirë për t’u transmetuar këto vlera gjeneratave më të reja, gjeneratave të ardhshme, ata që, në të ardhmen, mund të jenë drejtuesit e Shqipërisë, ose në drejtimin e vendeve të tjera anëtare të Aleancës”, - tha Skefer para auditorit me profesorë, studentë, dhe personalitete të tjera.
Skefer mbyll misionin e tij në krye të Aleancës në fundin e qershorit të këtij viti, post i cili merret nga kryeministri danez Rasmunsen. Skefer ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Holandës dhe ka qenë një nga figurat kryesore politike në vendimmarrjen holandeze për marrjen pjesë në ndërhyrjen ushtarake dhe pushtimin e Irakut në mars të vitit 2003. Jaap de Hoop Scheffer u zgjodh si sekretar i njëmbëdhjetë i përgjithshëm i NATO-s në vitin 2004. Ai ka lindur në Amsterdam dhe është diplomuar në Universitetin e Leidenit në vitin 1974. Ka një karrierë politike dhe ushtarake edhe në vendin e tij.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›