Dita Botërore e Talasemisë, pacientët ankohen se mungojnë laboratorët për identifikimin e sëmundjes
Emanuela Sako
Mungojnë laboratorët për kryerjen e analizave për të sëmurët talasemikë në vendin tonë. Problemet u evidentuan nga specialistët e Shëndetësisë, në Ditën Botërore të Talasemisë. Sipas specialistëve, numri i talasemikëve në vend ka ardhur duke u rritur dhe problemet për kurimin e tyre janë të mëdha. Kryetari i Shoqatës së Talasemikëve në vendin tonë, Musa Zenelaj, u shpreh se ende ka mungesë laboratorësh për identifikimin e pacientëve që vuajnë nga këto sëmundje, ndërkohë që rreth 80% e pacientëve që vuajnë nga talasemia janë nën moshën 20 vjeç. Ndërsa ky raport është i kundërt në vendet e rajonit dhe Europës, ku mosha e të prekurve është më e madhe. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 300 pacientë të prekur që kurohen në spitalet e vendit.
Deklarata
Në ditën Botërore të Talasemisë, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se përpjekjet po përqendrohen në çështjen e parandalimit të talasemisë dhe sëmundjeve të tjera të trashëgueshme të gjakut. Në Shqipëri numërohen rreth 300 pacientë të prekur nga kjo sëmundje, që njihet ndryshe si anemia mesdhetare. Por, pacientët në moshë të vogël përballen me probleme shëndetësore, ekonomike dhe sociale, të cilat u vështirësojnë kushtet për mbijetesë. Fondacioni “Vodafone Albania”, me rastin e kësaj ditë, ka vijuar mbështetjen për këta pacientë me një projekt, i cili do të ndihmojë në trajtimin e talasemikëve, ofrimin e një jete më të mirë për ta, si dhe për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, premtoi se brenda javës së parë të qershorit do të ngrihet Qendra e Transfuzionit të Gjakut në Vlorë. Ndërsa brenda këtij viti, në spitalin e ri të QSUT-së, do të ketë një pavijon për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e gjakut.
Situata
Mungesa e gjakut është evidente në të gjitha spitalet e vendit për shkak se numri i dhuruesve është shumë i vogël, ndërsa kërkesat janë gjithmonë më të mëdha. Sigurimi i gjakut nga ana e autoriteteve shëndetësore është vështirësuar së tepërmi dhe këto të fundit shpeshherë kanë apeluar për të dhuruar sa më tepër gjak nga qytetarët. Kështu, ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Specialistët theksojnë se numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut apo me pagesë ka rënë së tepërmi kohët e fundit. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë, deklaroi se në rast krize do të bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Europian. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak pa një afat të pacaktuar.
9 Maj 2009