E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, zbardhet formulari dhe procedura për plotësimin e saktë të tij



Jonida Tashi

Zbardhet formulari që duhet të plotësohet nga maturantët shqiptarë për të ndjekur studimet e larta në Itali.
Ambasada Italiane në Tiranë ka publikuar dje të gjitha procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë, për të kryer regjistrim paraprak në universitetet italiane. Kështu, sipas njoftimit të ambasadës, studentët shqiptarë, banues në zonat në varësi territoriale të Konsullatës italiane, pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, që synojnë të studiojnë në universitetet italiane, mund të tërheqin pranë sportelit të ambasadës, duke nisur nga data 12 maj, formularët, udhëzimet dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave të regjistrimit paraprak.
Kërkesat
Kërkesat për regjistrimin paraprak, duhet të paraqiten në kancelarinë konsullore pranë Ambasadës Italiane në Tiranë prej datës 14 deri në datën 29 maj 2009, sipas kalendarit dhe orareve të përcaktuara. Për tu regjistruar në universitetet italiane është e detyrueshme dëshmia e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”. Përjashtohen nga ky detyrim studentët shqiptarë të liceve dy gjuhëshe italo–shqiptare. Për t’iu përgjigjur nevojave të studentëve shqiptarë, i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin paraprak është i disponueshëm dhe mund të shkarkohet nga faqja e internetit të ambasadës: www.ambtirana.esteri.it. Nëpërmjet komunikatave të mëtejshme për shtyp, do të botohen të dhënat rreth procedurave që do të ndiqen për: legalizimin e dokumenteve që do të paraqiten për bursë studimi në Itali, pranë Agjencive Rajonale kompetente të të Drejtave të Studimit; paraqitjen e kërkesave për vizë studimi/universitar, pranë zyrës së vizave.
Regjistrimi
Ambasada Italiane publikon udhëzime për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak në universitetet italiane
nga ana e studentëve shqiptarë, banues në zonat në varësi territoriale të Konsullatës italiane pranë kësaj ambasade. Të gjithë studentët shqiptarë, që plotësojnë kushtet për regjistrim në universitetet italiane kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për regjistrim paraprak në universitetet italiane. Kërkesat do të merren në shqyrtim nga universitetet italiane, të cilat do të vendosin për pranimin në varësi të vendeve në dispozicion për studentët e huaj. Lista e vendeve të disponueshme mund të konsultohet në saitin: http://ëëë.studiare-in italia.it/studentistranieri/. Studentët duhet të paraqiten personalisht, të pajisur me pasaportë, sipas kalendarit të shpërndarë nga Ambasada Italiane. Kjo e fundit bën të ditur se për arsye organizative nuk do të jetë e mundur të priten studentët në ditë të ndryshme nga ato të përcaktuara. Ndaj studentët duhet të tregojnë saktësi maksimale. Studentët do të priten pranë Kancelarisë Konsullore të Ambasadës (Rruga Papa Gjon Pali II, 2 – Tirana).

Dokumentet për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak
Për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak studenti duhet ti paraqesë ambasadës dokumentet e poshtë shënuara:
1. Kërkesën e regjistrimit, bashkëngjitur, të plotësuar në të gjithë zërat, si dhe dy kopje të saj pasi të jetë plotësuar. Në kërkesë duhet të shënohet në mënyrë të qartë vetëm një degë universitare. Dega e studimeve e përzgjedhur nuk mund të ndryshohet më. Për të përzgjedhur degën, këshillohet të konsultoni listën në adresën e internetit:
http://ëëë.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.
2. Formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat anagrafike, sipas modelit bashkëngjitur, si dhe dy kopje të tij pasi të jetë plotësuar.
3. Fotokopje të formularit A1 të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje. Ata që e kanë marrë dëftesën e pjekurisë, duhet detyrimisht të paraqesin vërtetimin e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore).
4. Titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal.
Studentët të cilët kanë humbur dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Studentët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do të marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e 2009, do të paraqesin një certifikatë (vërtetim notash), që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për të dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë në origjinal pranë ambasadës, sapo ta marrin atë, së bashku me Certifikatën e Maturës Shtetërore.
5. Origjinali si dhe dy fotokopje të plota të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës, të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e Drejtorisë Arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme.
Titujt e studimit duhet: Të jenë të përkthyera në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare; firma e drejtorit të shkollës, që i ka lëshuar, duhet të vërtetohet nga drejtori arsimor i rrethit përkatës, dhe firma e këtij të fundit, duhet të vërtetohet nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare.
6. Fotokopje e dy faqeve të para të pasaportës.
7. 2 fotografi me ngjyra, format pasaporte.
8. Fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane “CELI 3” e mbrojtur në momentin e regjistrimit paraprak dhe e lëshuar nga institucionet e autorizuara nga Ministria e Arsimit Italiane, dhe që mund t’i gjeni duke konsultuar faqen e kësaj Ministrie në internet, në adresën: www-miur.it, në zërin “Università”.
Dokumentit duhet të futen në zarf, mbi të cilin të shkruhet qartë:
Emri dhe mbiemri i studentit
Universiteti, Fakulteti, Dega e studimit
Numri i telefonit (celular, telefon shtëpie, apo edhe e-mail-i nëse keni)
Mesatarja e notave (vetëm për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë)

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›