E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Koçi: Nisma e ekzagjeruar, dëmton turizmin

Mendoj se nisma është e ekzagjeruar. E kam kundërshtuar që kur u aplikua për herë të parë. Gjykoj që lufta ndaj krimit e sidomos ndaj trafiqeve nuk realizohet duke bllokuar trafikun dhe lëvizjet legale dhe duke cenuar liritë dhe drejtat e njeriut. Nëse do të niseshim nga e njëjta logjikë, i bie që ne të ndalojmë edhe fluturimet ajrore, edhe automobilistike apo edhe transportin me mjete të ndryshme, nga skafet apo mjetet lundruese. Më duket më shumë si një gjest për të huajt se sa si një vendim që vjen brenda një kuadri racional përpjekjesh të institucioneve për të luftuar krimin. Tani jemi në prag të 2010, jemi anëtarë të NATO-s dhe duam të marrim statusin e vendit kandidat të BE-së dhe ky lloj vendimi e komprometon këtë status të Shqipërisë. Në fund të fundit dëshmon edhe një lloj dorëzimi ndaj një dukurie të mundshme siç është trafiku i lëndëve narkotike apo qenieve njerëzore, në fund të fundit kjo dëshmon se institucionet e Shqipërisë e kanë të pamundur që ta luftojnë këtë figurë krimi dhe detyrohen që të bllokojnë një mundësi të madhe zhvillimi, shumë të madhe lëvizjeje dhe shfrytëzimi për interesa të ligjshme siç është sidomos interesi turistik. Lidhur me mundësinë për të ndaluar zbatimin e tij, kjo është një çështje më shumë që do përgjigje juridike. Por nëse mundësia ka qenë e gati inekzistente kështu do jetë edhe për herën e dytë. Nuk besoj se rriten shanset e ndalimit të kësaj iniciative përmes Gjykatës Kushtetuese për shkak se kemi një moratorium të dytë dhe kjo do një shqyrtim shumë më të specializuar në planin juridik se sa në planin politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›