Strazimiri: Deputetët e PS-së, polici private
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të saj, Gent Strazimiri, akuzoi PS-në se deputetët e saj po vihen në mbrojtje të pallateve me probleme ligjore deri duke bërë "dezhurn". Strazimiri, në daljen e tij para mediave, tha se "aksioni politik i grupit parlamentar të PS, është reduktuar në mbrojtjen fizike, me sistem dezhurni nga deputetët, të Dash Pallatit, i cili ka mbirë në mes të njërës prej rrugëve të Tiranës, si dëshmi e përbuzjes së shtetit, ligjit dhe qytetarëve". Për Strazimirin, reduktimi i grupit parlamentar në polici private e Dash Pallatëve, Fidel-kullave etj., e vendos votën e socialistëve të dhënë në 28 qershor për integrimin e Shqipërisë në Europë, në nivelin më të ulët e më përçmues në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Duke vijuar më tej fshikullimin e të majtëve, Strazimiri vlerësoi se reduktimi i PS-së, në një sindikatë zaptuesish të trojeve publike, është sinjali më dëshpërues që mund të emetohet nga zaptuesi aktual i PS, për ata mijëra votues, anëtarë e simpatizantë që votën e dhanë me shpresën dhe besimin për një beteje politike e parlamentare, e jo për politikë rruge e rrugaçësh. Në këtë kuadër, deputeti demokrat siguroi se pavarësisht hapave që po ndjek opozita, Shqipëria do të vazhdojë të ecë drejt BE-së.