Stefan Çipa: Kufizimet nuk e ndalojnë dot trafikun
Ky vendim vjen në një moment kur të gjithë njerëzit prisnin që të mbaronte ky afat, por në fakt u shty, nga tre u bë katër vjet e më shumë dhe tani thotë që do bëhet edhe për tre vjet të tjera. Kryeministri ynë i famshëm për çmenduri të tilla do ta shtyjë edhe më, sa të jetë ai në qeveri. Kjo me arsyen për të ndaluar trafikun. Kush tha që s‘ka pasur trafik edhe tani? Ka pasur trafik edhe në kohën kur moratoriumi ka qenë në fuqi. Rasti i Butrintit është rast tipik, por edhe trafiku i lëndëve narkotike drejt Italisë e Greqisë ka funksionuar dhe ka qenë i zhvilluar edhe gjatë kohës së moratoriumit. Por ka pasur një pengesë të madhe. Turizmi është penguar dhe dëmtuar shumë nga ky ligj. Për mua, është absurditeti më i madh. Saliu përmend viktimat e ‘97, të cilat i bëri vetë, por unë di që gjatë kohës që kam qenë ministër i Rendit ka pasur një rënie të shifrave të trafikut edhe pa pasur një moratorium si ky. Një shtet duhet t‘i menaxhojë kufijtë e tij me të gjitha mjetet ligjore dhe jo të kufizojë të drejtat dhe liritë e njeriut. Për mua është antikushtetues, sepse cenon të drejtën e pronës. Kështu i bie që nëse një njeri ka blerë një makinë i lejohet ta përdorë, ndërsa një njeri që ka blerë një mjet lundrues për qëllime turistike i ndalohet ta përdorë. Ky është ligj diskriminues, sepse të huajt i lejon të vijnë me mjete lundruese, përjashto shqiptarët. Jo çdo mjet që mund të përbëjë krim duhet hequr. Dhe dua të bëj një krahasim. Një thikë mund të konsiderohet mjet krimi dhe hajde ta heqim nga përdorimi.