Vrasja e "Mirit të Xhikes" do të rigjykohet
Gjykata e Tiranës do të rigjykojë ngjarjen e 29 marsit të vitit 2003, ku u vra Fatmir Rama, i njohur me nofkën "Miri i Xhikes". I pandehur për këtë vrasje është Lavdërim Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, por Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në Shkallë të Parë. Numri i çështjes është 2287, me akuzën përkatëse për vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbajtje pa leje të armëve luftarake. Statusi i dosjes është në gjykim dhe kreu i Kolegjit Penal është gjyqtari Albert Meça. Disa javë më parë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka kthyer për rigjykim Lavdërim Tufën, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes, Julian Durishtit dhe Kristaq Camit, në Lundër të Tiranës, më 29 mars 2003. Gjatë shqyrtimit gjyqësor janë gjetur parregullsi procedurale në vendimin e Shkallës së Parë, duke rihapur kështu një nga vrasjet më të bujshme në Shqipëri. Sipas Gjykatës së Apelit, Lavdërim Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e Tiranës, sikurse do të ndodhë tashmë me rihapjen e procesit, ku prova kryesore e Prokurorisë ishte ADN-ja e një fije floku të gjetur në një maskë afër vendngjarjes. Avokati i Lavdërim Tufës, Basri Mana, i kërkoi Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e klientit të tij, duke e konsideruar të pafajshëm. Tufa ishte dënuar nga Krimet e Rënda me burgim të përjetshëm për krimin e trefishtë të ndodhur në "Kartodrom 2000". Vendimi u dha më 10 tetor të vitit 2006. Pas tre vjet hetimesh dhe shqyrtimi gjyqësor, gjykata vendosi të shpallë vendimin, pa praninë e të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës. Ashtu si edhe prokuroria, gjykata deklaroi fajtor Lavdërim Tufën, për vrasjen e trefishtë te "Kartodrom 2000", por nuk e dha arsyen e kësaj tragjedie.
S.Ç.
S.Ç.