Petro Koçi: Rama mundi Maqon, jo Berishën
Një nga socialistët më të vjetër, tashmë me partinë e tij, Petro Koçi, deklaron se e majta është në krizë identiteti dhe për këtë fajtori kryesor është Edi Rama. Ai e quan të gabuar bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së dhe shprehet se me rrugë joinstitucionale mund të mundësh Maqo Lakrorin, por jo Sali Berishën
Z. Koçi, si e quani atë që po ndodh sot me të majtën shqiptare?
E majta shqiptare është zhytur në një krizë të thellë identiteti, kohezioni dhe strategjie politike. Baza e majtë votuese është shndërruar në një trupë tifozerie dhe ka humbur kontrollin mbi partinë e vet kryesore, PSSH-në. Vota dhe vullneti politik i anëtarëve të PS nuk ka më fuqinë e kontrollit dhe vendimmarrjes mbi strukturën udhëheqëse të partisë. Përkundrazi, udhëheqja e partisë ka vendosur dorën e hekurt të kontrollit mbi anëtarësinë e gjerë. Sistemi zgjedhor i imponuar nga Rama shërbeu jo vetëm si garante e humbjes së garës elektorale të 28 qershorit, por edhe si instrument për larjen e hesapeve mes rivalëve brenda partisë dhe brenda faktorëve të së majtës. E djathta ekonomike e ka kapur plotësisht lidershipin e PS-së. Deputetët “socialistë” janë më të pasur se të djathtët e Berishës. Alternativa politike e PS ndaj themelit të shtetit, Kushtetutës, nuk ndryshon nga ajo e PD-së. Solidariteti i nevojshëm socialist është zëvendësuar me përjashtimin, bashkimi me përçarjen. Autoritarizmi sjell përçarje të pakorrigjueshme, gjithëpërfshirja garanton bashkim dhe kohezion.
Ka shumë mendime të ndryshme brenda opozitës shqiptare, si do të ndikojë kjo në elektorat?
Pluralizmi i mendimit ekziston edhe në regjime totalitare, pavarësisht ndalimit dhe mosshfaqjes së tij. Nga ai nuk vjen kurrsesi asnjë e keqe. Mendoj se elektorati duhet të kuptojë se ai ka nevojë për më shumë pushtet kontrolli mbi strukturat politike të së majtës. Rrënimi i demokracisë tek e majta çoi edhe në varfërimin e demokracisë dhe sistemit të saj. Rama me strategjinë që ndoqi mban përgjegjësi jo vetëm për humbjen e PS-së, por edhe asaj të LSI dhe natyrisht mban përgjegjësi absolute për nxjerrjen nga Parlamenti të Gjinushit dhe të Milos. Elektorati i majtë ka nevojë të ndjekë nga afër debatin brenda së majtës, pa censurë. Sepse vetëm ashtu ai mund të fitojë kthjelltësinë e duhur për vendimmarrjen e vet. Një elektorat që nuk di se ç’kushtetutë gatuan politika, është jashtë loje dhe nëse nuk reagon do vazhdojë të mbetet jashtë loje.
Rama pretendon se është koalicioni i PS-së ai që fitoi në këto zgjedhje, në kohën kur mazhoranca po qeveris vendin. A ka arsye Rama për të bojkotuar Parlamentin?
Kur do të bojkotosh Parlamentin në Shqipëri është kollaj të gjesh edhe justifikimin. Unë s’kam asgjë kundër në parim ndaj sjelljes katarsiste të Ramës, pra kam qenë me propozime konkrete për një katarsis elektoral qysh në 2005-ën. Por që të jetë i besueshëm, Rama duhej të bënte edhe një katarsis mbi sjelljen e vet politike, mbi mënyrën private të administrimit të PS-së, mbi autoritarizmin dhe frymën përjashtuese të shfaqur pa vetëpërmbajtje deri tani.
Mbi cilat baza u themelua PSV’91?
PSV’91 u formua si një projekt politik që synonte përfaqësimin e vlerave moderne socialiste dhe si një instrument demokratik presioni për ndryshime dhe reforma në PS. Nuk është një bashkim të pakënaqurish, megjithëse nga ata ka, por një formacion i cili eksperiencën demokratike dhe qeverisëse të PS ndër vite e miradministron në favor të së ardhmes. Projekti ynë pësoi një goditje nga sistemi zgjedhor dhe urrejtja e lidershipit të PS-së ndaj mendimit dhe alternativave ndryshe. Kjo solli edhe deklarimin tim për dorëheqje.
Si e shihni perspektivën e një unioni ndërmjet forcave të majta?
E majta mund të ribashkohet vetë nëse faktorët e saj bashkohen në analizën mbi shkaqet e humbjes dhe nëse të gjithë do jenë në gjendje të mbajnë përgjegjësi për humbjen. Ka nevojë për autokritikë dhe aftësi qytetare për të dëshmuar se përgjegjësitë e ushtruara keq janë kthyer në leksione. Deri tani nuk po shoh ndonjë reagim thelbësor nga forca kryesore e të majtës PS. Përkundrazi dëgjoj kërcënime të reja për përjashtime apo vetëpërjashtime. Domethënë mungon aftësia për t’i vënë gishtin kokës.
Aktualisht në Parlament nuk ka një opozitë dhe kjo nuk është pozitive as për jetën politike apo progresin ekonomik të vendit, në një kohe kur krizës financiare nuk i ka shpëtuar as vendi ynë? Apo jo?
Bojkoti e thellon krizën politike të së majtës dhe shëmtinë e zgjedhjeve që shkaktoi sistemi zgjedhor përjashtues i 28 qershorit. Opozita u votua për ta ushtruar pushtetin e vet opozitar në institucione. Politika institucionale është rruga kryesore në të cilën do të mund të përvijohet korrigjimi i të majtës. Vetëm në Parlament opozita mund të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe vetëm në Parlament opozita mund të mësojë si të qeverisë vendin më mirë se mazhoranca. Çdo rrugë tjetër mbetet e gabuar. Me rrugë joinstitucionale mund të mundësh Maqo Lakrorin, por jo Sali Berishën.
Si e shihni liberalizimin e vizave vetëm me disa vende te rajonit?
Unë do nxisja një politikë më agresive integrimi të BE ndaj rajonit dhe natyrisht ndaj Shqipërisë. Kur them këtë nuk nënkuptoj shmangien e kritereve dhe standardeve. Nuk është në favorin e BE ishullizimi i rajonit tonë. Më duket një ritëm i gabuar. Në këtë kënd shikim liberalizimi i pjesshëm i lëvizjes së qytetarëve nga rajoni gjykohet si një taktikë e gabuar dhe dëmprurëse. Diferencimi më duket i pajustifikueshëm. Edhe opozita mund të luajë një rol më kuptimplotë në përshpejtimin e arritjes së këtij hapi, që ka domethënie jetësore për shtetasit e vendit tonë.