Enciklopedia, Berisha: Identiteti? Shqiptarët nuk kanë probleme
Kryeministri Sali Berisha përkundrejt racizmit maqedonas bën të qartë se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë probleme me identitetin e tyre. Në konferencën e mbrëmshme për shtyp, z. Berisha u ndal edhe tek çështja e “Enciklopedisë Maqedonase”, për të cilën deklaroi se ka marrë garancinë e Presidentit të Maqedonisë se ajo do të rishikohet nga autoritetet maqedonase. “Shqiptarët nuk kanë vuajtur kurrë nga identiteti. Presidenti i Maqedonisë më siguroi se sapo të kthehet në vend, do ta rishikojë”, - tha z. Berisha. Kryeministri akuzoi për falsifikim të historisë dhe apeloi ndaj shqiptarëve se nuk duhet të impresionohen nga ndërhyrjet e atyre që kanë probleme me identitetin.
Historia 12, Berisha: Rishkrimi do të zbardhë të vërtetën
Kryeministri Sali Berisha siguroi mbrëmë se do të ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes së tekstit të historisë për të cilin ka ditë që po zhvillohen debate jo vetëm në selitë e partive politike, por deri në ambientet e shkollës. Ai bëri të qartë se nuk punon për historinë por për të ardhmen. I pyetur nga gazetarët, në konferencën për shtyp, Berisha bëri të ditur se do t’i kërkojë ministrit të Arsimit të shqyrtojë çështjen, por personalisht ai është për rishkrimin e tekstit të historisë. “Jam për shkrimin me objektivitet të historisë, sepse me rishkrimin e saj do të zbardhen shumë të vërteta. Unë s’jam historian, por garantoj se me rishkrimin e tekstit, fëmijët do të kenë një histori tjetër”, - tha Berisha. Kryeministri ironizoi dhe deklaratat e opozitës, sipas tij, të bërë nga “çunat” e Bllokut. “Akoma sot pas 20 vitesh, në mendje të këtyre njerëzve funksionon skema e Enver Hoxhës që dhe diellin dhe hënën e lidhin me njëshin, harrojnë se janë në demokraci”, - tha Berisha.