Qeveria, rishikim strukturave së Forcave të Armatosura
Qeveria do të rishikojë strukturat e Forcave tona të Armatosura si një vazhdimësi të reformës, e cila ka si objektiv krijimin e FA-së, plotësisht të ndërveprueshme dhe të aftë për t'u integruar në strukturat dhe procedurat e NATO-s. Synimi është rritja e frytshmërisë së komandimit dhe drejtimit, mënjanimi i shtabeve dhe njësive të tepërta si dhe përshtatja e strukturave të disa njësive për t'i bërë ato më efektive. Struktura e re e Ministrisë së Mbrojtjes bën të detyrueshme shkrirjen e drejtorive të njëjta me ato të Shtabit të Përgjithshëm. Këto drejtori, sipas rastit apo natyrës së tyre, do të kalojnë ose te ministria ose te shtabi. Ky ka qenë një projekt i ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe që mbështetet edhe nga pasardhësi i tij, Arben Imami. Madje, projekti i Oketës kishe marrë edhe ok-in e amerikanëve dhe për këtë arsye, propozimi i ri i shkrirjes së drejtorive të njëjta i është dërguar para disa javësh edhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në konferencën e djeshme për hartimin e planit 5-vjeçar të integrimit të plotë në NATO, ministri i Mbrojtjes, Imami, pohoi se brenda vitit 2010 në Shqipëri do të ketë vetëm ushtarë profesionistë dhe jo shërbim të detyrueshëm. Sipas Imamit, do të eliminohen shtabet dhe njësitë e tepërta. Për ministrin e Mbrojtjes, një forcë profesioniste nuk mund të përparojë pa një strukturë të përshtatshme mbështetëse. "Në përshtatje me këto ne kemi analizuar me kujdes dhe kemi nisur procesin e rishikimit dhe të modifikimit të strukturës së forcave tona të armatosura”, - tha z. Imami. Ministri i Mbrojtjes shtoi gjithashtu: "Një rëndësi të jashtëzakonshme kanë përpjekjet për të rishikuar dhe për të përmirësuar procedurat e zbatimit dhe planifikimit të burimeve tona”. Shqipëria, një vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) prej muajit prill të këtij viti, po përgatitet të hartojë një plan konkret që do të çojë në integrimin e plotë të ushtrisë shqiptare drejt strukturave të kësaj aleance. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i pranishëm në konferencën e djeshme sqaroi se "synimi kryesor i reformës së FA është shndërrimi i ushtrisë sonë deri në fund të 2010 në një forcë profesioniste si dhe konsolidimi i saj deri në vitin 2015”. Ai vuri në dukje se "kjo nuk përfshin vetëm përshtatjen e fuqisë njerëzore e të strukturave të organizimit, por një ndryshim të rëndësishëm në konceptet operacionale, në sistemet e stërvitjes dhe çka është më e rëndësishme, në konceptet e menaxhimit të mbrojtjes". “Gjatë konferencës së parë, - vijoi ministri Imami, - ne përcaktuam rrugën ku do të ecnim përpara për vitet e ardhshme dhe premtuam se do të krijojmë një forcë të armatosur plotësisht të ndërveprueshme dhe të aftë për t'u integruar në strukturat dhe procedurat e NATO-s”. Punimet e Konferencës së Dytë për Integrimin do të zgjasin dy ditë (28-29 shtator). Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga Shtabi Ndërkombëtar i NATO-s (IS), përfaqësues nga komandat strategjike të NATO-s (ACT dhe ACO), përfaqësues pranë komandave të NATO-s, si dhe komandave kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare.