E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qëllimi im në SHBA, integrimi, investimet dhe Kosova



Vizita më e gjatë jashtë vendit, gjatë gjithë karrierës politike të Sali Berishës, ka pasur tri qëllime kryesore: mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë, rritjen e investimeve të huaja dhe lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pas kthimit nga Nju Jorku, ku ndoqi nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri i vendit, Berisha, dha një konferencë për shtyp, përmes së cilës bëri një përmbledhje të takimeve të suksesshme me liderët botërorë. Z. Berisha i cilësoi shumë të rëndësishme vendimet që u morën në OKB, mes të cilave dhe rezoluta për armët bërthamore. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se ka ftuar për një vizitë në Shqipëri Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, njëkohësisht ai vlerësoi si shumë pozitive takimet e zhvilluara me krerë shtetesh, pjesëmarrëse në OKB. Sipas Berishës, sesioni i OKB-së ka pasur një rëndësi historike, pasi përveç takimeve pozitive për të rritur bashkëpunimin ekonomik me vendet e zhvilluara është lobuar dhe për çështjen e Kosovës, për njohjen e saj nga sa më shumë shtete në botë. Berisha vuri theksin tek takimi i zhvilluar me Presidentin amerikan, Barack Obama, i cili sipas tij, do të vizitojë Shqipërinë. “Pata një takim të shkurtër dhe të përzemërt me Presidentin Obama dhe Zonjën e Parë, gjatë pritjes që Presidenti shtroi në Nju Jork. Ishte kënaqësi për mua të merrja vlerësimin e Presidentit për anëtarësimin në NATO, por edhe për faktin se Presidenti dhe Zonja e Parë në Çikago njihnin shqiptarë me të cilët kishin punuar. Jam i bindur se Presidenti Obama do të vizitojë Shqipërinë”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri u ndal gjatë edhe tek lobimi për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe lobimin për Kosovën. Gjatë konferencës, z.Berisha përshëndeti edhe fitoren e kancelares gjermane Angela Merkel, duke e cilësuar si një fitore me rëndësi për mbarë Evropën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›