E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon sipërmarrësit shqiptaro-amerikan: Bashkim kombit



Kryeministri Sali Berisha u premton shqiptarëve në mbarë botën se përgjatë 4 viteve që vijnë, “do të shërojmë të gjitha plagët e një ndarjeje të pajustifikueshme një shekullore të kombit”. Z. Berisha ishte i ftuar në ceremoninë tradicionale të përvitshme, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, në Nju Jork. Në këtë mbrëmje, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime dy personalitete: negociatorin që luajti një rol kyç në finalizimin e procesit të pavarësisë së Kosovës, z. Marti Ahtisari dhe fotografin Fadil Berisha, i cili ka zgjedhur rrugën e artit për të bërë të njohura në botë vlerat shqiptare. Ky është një ritual i përvitshëm, ku shqiptaro-amerikanët nderojnë me çmime disa nga personalitetet më të njohura në botë që japin kontribut për çështjet e tyre. Ish-kryenegociatori Ahtisari, njeriu i dalluar për mjeshtërinë diplomatike në kapërcimin e vështirësive dhe pengesave me të cilat përballej pavarësia mori çmimin “Duart e Shpresës”, çmim që iu dorëzua në mënyrë simbolike nga Presidenti i Kosovës, z. Fatmir Sejdiu. Z. Berisha, i cili mbajti më pas një fjalim të gjatë, foli për vështirësitë e mëdha që u desh të kapërcehen për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri falënderoi me mirënjohje Presidentin Ahtisari dhe ambasadorin Wisner për kontributin e tyre në pavarësinë e Kosovës. “Mbasi latë Presidencën tuaj, ju u bëtë një lider i vërtetë i botës. Në gjykimin tim modest, negociatori më i madh i 20 viteve të fundit. Kontributi juaj në paqen e botës u shpërblye me çmimin më fisnik: çmimin “Nobel”. Doja t’ju siguroja se në zemrën e kombit tim, në kujtesën e kombit tim ju do të mbeteni përgjithmonë si një prej themeluesve të pavarësisë të Kosovës”.

“Në katër vite, - vijoi Kryeministri, - do të shërojmë të gjitha plagët e një ndarjeje të pajustifikueshme një shekullore të kombit. Ne ndërtuam një rrugë të re, do të ndërtojmë rrugë të tjera. Kombi do të ketë dy qeveri, dy administrata, sepse pavarësia e Kosovës është interesi jetësor i çdo shqiptari. Por, kombi do të ngelet një, ashtu siç ishte në kohët e vjetra. Gjithmonë do të jetë një komb, falë sakrificave tona, falë miqve tanë, falë Zotit. Ne jemi një komb i lirë tani dhe do ta ndërtojmë të ardhmen tonë si një vend i lirë”. Duke vlerësuar se pas pavarësisë së vendit, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte arritja më e madhe, Kryeministri Berisha theksoi: “Ne po punojmë në një projekt madhor, atë të integrimit evropian, i cili është projekt shumë i vështirë dhe serioz, por unë jam shumë optimist se ne do të arrijmë të implementojmë çdo ditë, standarde dhe praktika që janë të përbashkëta me kombet evropiane”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›