Flasin socialistët e Shkodrës dhe Durrësit: Zgjedhjet, një farsë
Edi Ramës po i shembet tavani brenda shtëpisë së tij, ku dy ditë pas zgjedhjeve që e konfirmuan kryetar me 93 për qind të votave, kanë nisur kontestimet nga disa qarqe për manipulime në votim dhe lista. Ndërkohë Rama po justifikon bojkotin e Parlamentit me 65 deputetët e partisë së tij me pretendimin se zgjedhjet parlamentare ishin të parregullta dhe të manipuluara. Disa drejtues të degëve lokale të PS-së dhe ish-drejtues të kësaj partie denoncojnë këtë proces si një farsë të radhës të Edi Ramës. Denoncimet vijnë për parregullsi e manipulime. Shqetësimit të disa ditëve më parë të krerëve të degës së Shkodrës për ndryshimin e komisionerëve në momentet e fundit, i janë shtuar fakte të tjera që kanë të bëjnë shtimin fiktiv të anëtarësisë një ditë para votimit. Kryetari i PS-së në Shkodër, Filip Shiroka, u shpreh se “ditët e fundit janë shtuar 250 anëtarë të rinj që u paraqitën për të votuar, të cilët nuk figuronin në asnjë lloj dokumentacioni”. Në këtë qark ka pasur probleme pak ditë para zgjedhjeve, pasi u shkarkuan pa arsye disa anëtarë të komisionit të votimit duke vënë në vend të tyre njerëz të besuar të Ramës. Ndërkaq kontestime ka pasur nga dega Durrës, ku sipas shumë socialistëve ka pasur parregullsi të shumta me listat e votuesve, në të cilat figuronin anëtarë të larguar tashmë nga kjo forcë politike. Dy prej emrave të njohur të bazës socialiste në Durrës, Natasha Paço e Bardhyl Agasi, e konsiderojnë procesin zgjedhor një farsë të panevojshme për vetë rezultatin, që sipas tyre, rikthen në vëmendje kohët e Partisë së Punës. “Në lista kishte emra të njerëzve që kanë ikur me kohë nga PS-ja. Këto zgjedhje nuk kishin pse bëheshin kur dihej se çfarë rezultati do nxirrnin duke mbajtur Edi Ramën”, - shprehet Paço. Ndërsa Agasi, një nga drejtuesit më të vjetër të PS-së, shton se “dihej që do fitonte Edi Rama, sepse dhe vetë Maqo Lakrori bëri një fushatë shtojcë të tij, pasi nuk kishte as shtabin e tij elektoral”. Në Lushnje kryetari i degës, Leonard Gogo, dha dorëheqjen nga posti, largim në fakt që ai e kishte paralajmëruar javë më parë për shkak të kundërshtive lidhur me metodat e përdorura nga Rama. Kontestime të forta për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve janë shfaqur edhe në rrethe të tjera, ku procesi është zhvilluar vetëm nën mbikëqyrjen e komisionerëve të emëruar nga Rama dhe mbështetës të tij.